Gardiani belg

Courtois mohon spekulimet se frikësohet nga emërimi i Contes apo Mourinhos te Real Madridi

Gazeta spanjolle “El Pais” raportoi gjatë të premtës se Thibaut Courtois frikësohet se Real Madridi do të emërojë trajner të ri njërin nga Antonio Conte apo Jose Mourinho, gjë që ka ngjallur reagimin e portierit të “Los Blancos”.

Lajmi në “El Pais” pretendonte se Courtois ishte shumë i zhgënjyer me idenë se pasuesit e Lopeteguit në stolin e Real Madridit mund të jenë Antonio Conte ose Jose Mourinho.

“Nuk mund ta besoj. Jam i vetmi këtu që ka punuar me Conten dhe Mourinhon. Unë u largova nga Londra për të mos përjetuar diçka të tillë, dhe tashmë del se nëse jo Conte do të vijë Mourinho”, citohet të ketë thënë Courtois nga “El Pais”.

Courtois iu është përgjigjur këtyre pretendimeve përmes një postimi në Twitter, ndërsa paralajmëroi se do ta padis gazetën “El Pais” për raportim jokorrekt.

“Unë i mohoj këto informacione të publikuara nga “El Pais” në mënyre të prerë. Përfshijnë gënjeshtra që më dëmtojnë mua si profesionist, ndërsa pres një përmirësim gjersa jam duke konsideruar edhe rrugët gjyqësore”, shkuran portieri belg në rrjetin e tij social.

Trajneri aktual i mbretërve, Julen Lopetegui rrezikon seriozisht shkarkimin, pas formës së dobët që përfshiu edhe një seri negative prej 5 ndeshjeve pa fitore, teksa në 4 prej të cilave nuk u shënua as gol. Raportohet se shkarkimi është vendosur, pavarësisht edhe nëse fiton “El Clasicon” e së dielës.