CNN: Suksesi më i madh i Albrightit, ndërhyrja në Kosovë për të parandaluar gjenocidin ndaj shqiptarëve

Madeleine Albright, gruaja e parë Sekretare amerikane e Shtetit, e cila ndihmoi në drejtimin e politikës së jashtme perëndimore pas Luftës së Ftohtë, ka vdekur në moshën 84-vjeçare.

Vdekjen e mikeshës së shtetit të Kosovës e kanë konfirmuar familja e saj përmes rrjeteve sociale, raporton CNN, përcjell lajmi.net.

Mediumi amerikan, në njoftimin e vdekjes së Albright, shkruan se suksesi më i madh në fushën ndërkombëtare te Sekretares amerikane ishte parandalimi i gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999.

“Përpjekja më e vërejtshme e saj ishte që t’i jep fund dhunës në Ballkan. Ajo ishte vendimtare në nxitjen e presidentit amerikan, Bill Clintonit që të ndërhynte në Kosovë në vitin 1999 për të parandaluar një gjenocid kundër myslimanëve etnikë shqiptarë nga ish-udhëheqësi serb, Slobodan Millosheviq”.

Siç shkruan CNN, termi “spastrim etnik” u bë sinonim i Bosnje dhe Hercegovinës, ku forcat serbe të Millosheviqit tentuan të krijonin shtet përbrenda, duke u pasuar nga dëbimi i popullsisë civile të etnive jo-serbe.

Sipas mediumit, Administrata e Clintonit nuk ndërhyri deri në masakrën në Srebrenicës në vitin 1995, kur serbët vranë 8,000 burra dhe djem myslimanë, gjë që çoi në Planin e Paqes të Dejtonit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja.

“Por kur Millosheviqi më pas u përpoq të zhvendoste planin etno-nacionalist në Kosovë, Administrata e Clintonit mblodhi një koalicion për ta ndaluar atë që ishte bërë në Bosnjë”, shkruan CNN.

Siç thuhet më tej në artikull, Albright akuzoi Millosheviqin për krijimin e “një tmerri të përmasave biblike” në vazhdën e “dëshirës së tij për të shfarosur një grup njerëzish”.

E përditshmja amerikane përmbyll artikullin duke përmendur koalicionin e udhëhequr nga SHBA-ja që ndaloi agresionin serb dhe që shpalli pavarësinë e Kosovës më 2008-ën.