Çmimet “fluturojnë”, Kurti premtonte se do të shtrenjtohej vetëm luksi (Video)

Albin Kurti si opozitar premtonte se të gjitha çmimet e artikujve bazë ushqimor do të ulen. Por, gati dhjetë muaj pasi e mori pushtetin, gjendja ekonomike është rënduar dhe pothuajse të gjitha çmimet janë rritur. Përveç rritjes së çmimeve të bukës, vajit, sheqerit, naftës, Qeveria pritet ta aprovojë rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Kur ishte pjesë e opozitës, Kurti pati thënë se TVSH-ja bëhet zero për gjërat elementare ushqimore, shkruan Demokracia.com.

“Edhe buka me Lëvizjen Vetëvendosje nga 36 cent që është mesatarja për vitin 2014 bëhet 31 cent. Sheqeri nga 72 cent bëhet 62 cent. Qumështi nga 91 bëhet 78 cent. Vaji nga 1.31 cent bëhet në 1.6 euro. Sepse, ne duam që nevojave elementare t’ua heqim TVSH dhe luksi të shtrenjtohet”, thoshte Kurti në opozitë.

Se çmimet e produkteve ushqimore kanë vazhduar të rritjen e konfirmon edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës.

ASK ka publikuar Indeksin e Çmimeve të Konsumit (IÇK), shkruan Demokracia.com.

Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte më i lartë, në një mesatare prej 6.7 për qind në muajin dhjetor 2021, krahasuar me muajin dhjetor 2020.

Sipas ASK-së, kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (14.4%); mish (6.2%); qumësht, djathë dhe vezë (6.8%); vajra dhe yndyra ushqimore (32.7%); perime (11.5%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (9.4%); prodhime të ndryshme ushqimore, salca, erëza, kripë, ushqim për fëmijë etj., (5.4%); kafe, çaj dhe kakao (10.7%); ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (2.3%); pije alkoolike (3.2%); duhan (5.8%); këpucë (3.4%); gaz (21.6%); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (13.3%); mobilie dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje (2.8%); pajisje shtëpiake (5.6%); vegla dhe pajisje për shtëpi dhe kopsht (4.3%); produkte farmaceutike (3.3%); blerje e automjeteve (5.6%); pjesë këmbimi dhe pajisje shtesë për pajisjet e transportit personal (4.8%); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (28.1%); mirëmbajtje dhe riparim i pajisjeve personale të transportit (5.7%); shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit (9.9%); pajisje audio-vizuale, fotografike për përpunimin e informative (2.9%); gjëra dhe pajisje të tjera rekreative, kopshte dhe manare (2.4%); gazeta, libra dhe materiale për zyre (1.9%); shërbime hoteliere (6.5%); kujdes personal (3.1%); gjërat personale (1.9%); shërbime financiare (6.0%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 6.8 për qind në IHÇK.

Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit në vend, në vitin 2021 ishte më i lartë, në një mesatare prej 3.4 për qind, krahasuar me vitin 2020.

Ngritje e indeksit të çmimeve të konsumit gjatë vitit 2021 është vërejtur te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (4.3%); mish (1.4%); qumësht, djathë dhe vezë (3.8%); vajra dhe yndyra (22.9%); perime (4.1%); sheqer dhe ëmbëlsira (2.2%); kafe, çaj dhe kakao (2.4%); ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (0.9%); pije alkoolike (2.7%); duhan (3.7%); gaz (8.7%); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (5.9%); mobilie dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje (1.4%); pajisje shtëpiake (3.1%); produkte farmaceutike (2.3%); blerje e automjeteve (1.3%); pjesë këmbimi dhe pajisje shtesë për pajisjet e transportit personal (1.7%); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (17.6%); mirëmbajtje dhe riparim i pajisjeve personale të transportit (5.3%); shërbime të tjera lidhur me pajisjet personale të transportit (4.1%); shërbime për transport (2.0%), shërbime telefonike dhe të telefaksit (18.4%); pajisje audio-vizuale, fotografike për përpunimin e informative (2.7%); pushime të organizuara (4.3%); shërbime hoteliere (1.8%); kujdes personal (1.5%); shërbime financiare (4.7%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 3.7 për qind në IHÇK.