Chelsea hap të madh drejt Ligës së Kampionëve, Unitedi në Europa Ligë

Chelsea ka realizuar fitore të pastërt 3-0 ndaj Watford, duke shënuar një hap të rëndësishëm për kthimin në Ligën e Kampionëve.

‘Blutë’ shfrytëzuan në maksimum humbjen e Tottenham dhe kësisoj tashmë kanë rrëmbyer edhe pozitën e tretë.

45 minutëshi i parë përfundoi i baraspeshuar, me të dyja skuadra që kishin shanset e tyre.

Por në gjysmën e dytë, Chelsea filloi furishëm duke shënuar dy gola të shpejtë. Fillimisht, Loftus-Cheek (48’) dhe më pas David Luiz (51’) shënuan për avantazhin e vendasve.

Rezultati përfundimtar i ndeshjes u vulos nga Gonzalo Higuain (75’), që pas një shkëputje të bukur realizoi për 3-0.

Tash, ekipi i Sarrit ka 71 pikë në vendin e tretë, një më shumë se Spurs dhe pesë më shumë se Arsenali, që ka një ndeshje më pak. Watfordi mbetet në vendin e 10.

Ndërkohë, Manchester Unitedi edhe zyrtarisht sezonin e ardhshëm do të jetë pjesë e Europa Ligës.

‘Djajtë e Kuq’ gabuan në udhëtim ndaj Huddersfield, duke barazuar me rezultat 1-1.

Mysafirët e nisën në mënyrë fantastike ndeshjen, duke shënuar pas tetë minuta me Scott McTominal.

Por ekipi që gjendet aktualisht në vendin e fundit dhe sezonin tjetër do garojë në Championship, befasoi në minutën e 60-të dhe barazoi rezultatin 1-1 nëpërmjet Mbenza.

Solskjaer reagoi me disa zëvendësime, por ishte e pamundur të thyhej mbrojtja e çeliktë e vendasve.

Unitedi mban pozitën e 6 me 66 pikë, pozitë kjo që të çon në Europa Ligë nëpërmjet kualifikimeve.