Këshilli i Evropës

Çfarë thuhet në raportin e Bakojanis që do të diskutohet sot në Komitetin për Politikë të Këshillit të Evropës?

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës do të mblidhet sot.

Aty pritet të diskutohet e votohet për raportin e Dora Bakojanis që është raportuese për Kosovën në Këshillin e Evropës.

Raporti i raportueses do të diskutohet dhe votohet nga Asambleja Parlamentare.

Më pas, do të duhen 2/3 e votave për t’i rekomanduar Komitetit të Ministrave që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtare e KiE.

Mbledhja vjen pas vendimit të Kurtit që të zbatohet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me Manastirin e Deçanit.

Çfarë thuhet në raportin e Bakojanis?

Kosova e ka plotësuar kriterin e kërkuar që prej aplikimit për anëtarësim në KiE – pranimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese që 24 hektarë tokë përreth i takojnë Manastirit të Deçanit.

Kështu, edhe në raportin e siguruar nga Nacionale, i cili mban datën e ditës së sotme, pra 22 mars, rekomandohet anëtarësimi i Kosovës.

Pika 5

Në pikën pesë, thuhet se asambleja beson që aspiratat e Kosovës për anëtarësim në KiE, duhet të përmbushen me një përgjigje pozitive.

“Anëtarësimi do të çonte në forcimin e standardeve të të drejtave të njeriut duke siguruar akses në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut për të gjithë ata që janë nën juridiksionin e Kosovës…” – thuhet aty.

Megjithatë, Këshilli i Evropës do të ketë një mbikqyrje më të madhe në zhvillimet e brendshme, siç thuhet në raportin e raportueses Bakojanis.

“Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të përfaqësonte një moment historik në procesin e integrimit evropian të Kosovës.” – thuhet tutje.

11. Asociacioni

Asociacioni i komunave me shumicë serbe, përmendet plot 27 herë në këtë raport. Asambleja e konsideron të rëndësishëm themelimin e Asociacionit.

Sipas raportit, kjo është një mënyrë për të rritur pjesëmarrjen dhe fuqizimin demokratik të serbëve të Kosovës, si dhe për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Po ashtu, përmendet se kjo çështje, duhet të përfshihet për “shqyrtim të ardhshëm” nga Komiteti i Ministrave, si një angazhim pas anëtarësimit të Kosovës.

“Kuvendi e konsideron themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe një hap të rëndësishëm dhe një mënyrë për të rritur pjesëmarrjen dhe fuqizimin demokratik të serbëve të Kosovës dhe për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të tyre. Kuvendi konsideron se themelimi i Asociacionit duhet të përfshihet në shqyrtimin e ardhshëm nga Komiteti i Ministrave të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, si një angazhim pas anëtarësimit për Kosovën.” – thuhet tutje në raport.

Raportuesja përmend se gjatë vizitës në Kosovë, Asociacioni ishte çështje diskutimi në takimin me kryeministrin Kurti:

“Kryeministri Kurti konfirmoi atë që veç se ishte raportuar në media: ai ishte gati për të nënshkruar. Unë e inkurajova fuqishëm që ta bëntë këtë, dhe thash që ai ta bënte këtë pa vonesa të mëtutjeshme dhe parakushte, pasi që formimi i Asociacionit, synon pjesëmarrje më të madhe demokratike të qytetarëve të Kosovës…”

Letra e liderëve

Presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufa dhe kryeministri Albin Kurti i kanë dërguar një letër raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakojanis, ku janë zotuar se do t`i zbatojnë të gjitha masat që i kërkohen Kosovës pasi të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës.

Në letrën e siguruar nga gazeta Nacionale, thuhet se Kosova do të respektojë besnikërisht listën e zotimeve të treguar në shtojcën të cilën ata ia kanë bashkëngjitur letrës.

Në këtë shtojcë përmendet themelimi i Asociacioni sa më shpejt që është e mundshme.

“Në letrën tuaj të datës 21 mars 2024, ju na i ofruat ‘zotimet e propozuara të cilat Kosovës do t’i kërkohen që t’i respektojë porsa të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës’. Korrespondenca juaj tregon se kjo listë, që kërkon një përgjigje nga institucionet shtetërore të Kosovës, përbën një përbërës integral të procesit tonë të aplikimit dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës” thuhet në letrën, e cila është nënshkruar më 22 mars nga tre krerët institucionalë.

Më tej, ata e informojnë raportuesen për Kosovën në Këshillin e Evropës se do ta respektojmë besnikërisht listën e zotimeve të treguar në Shtojcën I.

“Në këtë kontekst, duke e marrë parasysh dhe mbi bazën e së drejtës kushtetuese të Kosovës, ne do të donim që ta shfrytëzojmë këtë mundësi për t’ju informuar se ne do ta respektojmë besnikërisht listën e zotimeve të treguar në Shtojcën I të letrës suaj të datës 21 mars 2024 pas bërjes së Kosovës shtet anëtar i Këshillit të Evropës. Ne ju falënderojmë për bashkëpunimin tuaj, përderisa presim që ta fuqizojmë bashkëpunimin përmes anëtarësisë së plotë në Këshillin e Evropës”, është thënë në letër.

VIDEO BONUS: