Radovan Vishkoviq

Çfarë ndodhi natën kur djali i kryeministrit të Republikës Serbe u sulmua në Beograd?

Dy persona u arrestuan në Beograd për sulmin ndaj djalit të kryeministrit të Republikës Serbe, Radovan Vishkoviq dhe policëve që e shoqëronin.

Klix.ba merr vesh jozyrtarisht se çfarë ka ndodhur atë natë, transmeton Ballkani.info.

Siç mëson Klix, djali i Vishkoviqit së fundmi ka pasur një fëmijë dhe ka organizuar një festë në një restorant privat në kryeqytetin e Serbisë.

Objekti ishte marrë me qira për një festë private dhe në një moment, para mesnatës, një grup personash tentuan të hynin, por u thanë se objekti ishte i rezervuar.

Mirëpo, një orë pas mesnate kur mbaroi festa, festuesit u larguan nga ndërtesa dhe në një moment dy persona ia bllokuan rrugën me automjetin e tyre të pasagjerëve djalit të kryeministrit të Republikës Serbe.

Pas kësaj ata kanë kërcënuar, siç thuhet nga prokuroria e Beogradit, se do të sulmojnë “jetën apo trupin” e atij personi.

Kërcënime janë adresuar edhe ndaj policëve që shoqëronin djalin e Vishkoviqit.

Për momentin nuk ka të dhëna nëse ka pasur sulm fizik.

Prokuroria e Tretë Themelore Publike në Beograd, në bashkëpunim me SP të Novi Beogradit, ka urdhëruar ndalimin e S. M. (36) dhe të dyshuarit P. M. (28) për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Sjellje e dhunshme. ” dhe veprën penale “Rrezikimi i sigurisë”.

Të dyshuarit nesër do t’i dërgohen prokurorisë për marrje në pyetje. /Ballkani.info/