Çfarë dite për xhudon kosovare – tri medalje nga tri garuese në garën e më të mirëve

Nora Gjakova ka kompletuar një ditë shumë të suksesshme për xhudon kosovare. Ajo ka fituar medaljen e bronztë në kategorinë deri 57 kilogramë, në Mastersin në Doha të Katarit. Më herët gjatë të hënës medalje të artë fitoi Distria Krasniqi (48 kg), ndërsa të bronztë fitoi Majlinda Kelmendi (52 kg).

Vetëm këto tri xhudiste kanë garuar për Kosovën të hënën, në ditën e parë të Mastersit. Dhe ato kanë siguruar tri medalje. Në Masters garojnë vetëm xhudistët më të mirë në secilën kategori. Ftesë kanë marrë vetëm 36 më të mirët nëpër kategori.

Për Norën është medalja e parë në turnetë Masters. Ajo në luftën e parë e mposhti serben Marica Perishiq. Më pas fitoi ndaj francezes Helene Receveaux, kurse në gjysmëfinale humbi nga japonezja Yoshida Tsukasa. Tsukasa fitoi me mbërthim.

Në luftë për medalje të bronztë, Nora Gjakova e mposhti portugezen me përvojë, Telma Monteiro. Lufta ishte e fortë ndërsa u vendos në kohën shtesë kur Nora realizoi pikë.