Celina: Prindërit e mi kishin vetëm një zgjidhje, të rrinin në Kosovë dhe ne të vriteshim apo të iknin për të shpëtuar

Bersant Celina ishte foshnje kur familja e tij iku nga tmerret e luftës në Kosovë. Në moshën 2-vjeçare, prindërit e tij u larguan nga Kosova në kohën kur forcat serbe po kryenin luftë të ashpër në Kosovë.

Mesfushori 22-vjeçar i Swansea City, Celina ka thënë për mediat britanike se tani është krenar që e përfaqëson vendin e vet, Kosovën, nga i cili dikur iku.

“U linda në qytetin e Kosovës, Prizren, në një periudhë të keqe për vendin tim. Serbia ishte në konflikt me Kosovën dhe shumë persona u vranë. Ishte e tmerrshme”, tha Celina.

Ai foli edhe për vendimin e prindërve të tij për ta braktisur Kosovën, në mënyrë që t’i shpëtojnë vdekjes.

“Pastaj, prindërit duhej ta merrnin një vendim – të qëndronin dhe të rrezikonin që të gjithë ne të vriteshim, apo të largoheshin për siguri”, tregoi ai.

“Kështu, shkuam refugjatë në Norvegji dhe aty u rrita unë. Unë kam qenë tepër i ri për ta mbajtur në mend atë kohë, por shumë njerëz ose janë vrarë pa arsyeje ose kanë kaluar nëpër vuajtje të tmerrshme”, theksoi Celina.

Celina i ka bërë 11 paraqitje për Kosovën dhe ëndërron që një ditë të luajë bashkë me vëllain e vet 18-vjeçar, Lotin, në ekipin kombëtar të Kosovës. Loti luan momentalisht për grupmoshat U-18 dhe U21.

“Jam i lumtur që Kosova është vend plotësisht i pavarur dhe paqësor sot. Kemi një ekip kombëtar me shumë djelmosha të talentuar. Shumica prej tyre e kishin braktisur Kosovën për shkak të luftës – por tani me krenari luajmë për Kosovën. Vëllai im Loti është 18 vjeç dhe tani luan për U-18 dhe U-21. Ai është shumë lojtar i mirë dhe e kam ëndërr të luaj me të në ekipin kombëtar”, shtoi ai.