Borisov drejtuar Zaevit: Gjithmonë jemi të gatshëm t’u ndihmojmë fqinjëve dhe miqve më të ngushtë

Ne jemi gjithmonë të gatshëm të ndihmojmë fqinjët dhe miqtë tanë më të ngushtë. Këtë ia thashë kryeministrit Zoran Zaev, i cili na falënderoi për gatishmërinë për t’i ndihmuar ata, duke siguruar vaksina kundër KOVID-19, publikoi kryeministri bullgar Bojko Borisov në profilin e tij në Fejsbuk këtë mëngjes.

“Situata është vërtet e vështirë dhe ne duhet të mbështesim njëri-tjetrin dhe të jemi solidarë. Çdo jetë është e rëndësishme dhe ne do të bëjmë përpjekje maksimale për ta ruajtur atë”, tha Borisov.

Porosia nga Borisov pason pas falënderimit që kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev i dërgoi natën e kaluar përmes Fejsbukut homologut të tij bullgar dhe Qeverisë në Sofje për vendimin për të dhuruar një pjesë të vaksinave të tyre kundër KOVID-19 Republikës së Maqedonisë të Veriut.

“Pas vendimit për dhurimin e vaksinave, unë personalisht falënderova kryeministrin Borisov, Qeverinë e Bullgarisë dhe popullin bullgar për solidaritetin dhe gjestin human dhe veprimin e jashtëzakonshëm të miqësisë ndaj popullit të Maqedonisë dhe të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Në shenjë mirënjohje për kryeministrin Borisov, i transmetova se dhurimi i disa prej vaksinave të siguruara nga qeveria bullgare është shumë i rëndësishëm dhe vjen në kohë jashtëzakonisht të vështira të një vale të fortë koronavirusi me të cilën përballen të dy kombet, të dy vendet dhe bota”, ka shkruar Zaev në Fejsbuk.