Bojkotohet në Serbi shitja e “Informerit”, gazetës servile të Vuçiqit e cila në vazhdimësi ka fyer Kosovën dhe shqiptarët

Intervista “mega-ekskluzive” me përdhunuesin serial I.M., e publikuar dy ditë më parë nga gazeta serbe “Informer”, e afërt me Vuçiqin, shkaktoi reagime të shumta në Serbia, protesta para redaksisë  së tabloidit të lartpërmendur, ndërsa tashmë bojkotit i janë bashkuar edhe disa dyqanet dhe kiosqet që shesin gazeta në Beograd.

Gjegjësisht, në rrjetet sociale janë shfaqur fotografi të njoftimeve të pronarëve të disa dyqaneve ushqimore në Beograd, ku thuhet se e kanë tërhequr nga raftet tabloidin “Informer”. Natyrisht, arsye është intervista skandaloze me përdhunuesin serial, Igor Millosheviq.

“Të nderuar konsumatorë, për respekt të gjysheve, nënave, bashkëshorteve, motrave tona, sot nuk do ta shesim gazetën Informer”, thuhet në njoftimin e kiosqeve dhe dyqaneve.

Gjithashtu, faqja e Instagramit e quajtur “Front Pages 365”, e cila çdo ditë publikon ballinat aktuale të të gjitha gazetave nga territori i Serbisë, në mënyrë të dukshme ka lënë jashtë kopertinën e “Informerit”, në të cilën rrëfimi kryesor është një intervistë me një përdhunues, pra në mënyrë të qartë duke shprehur qëndrimin e tyre.

Kujtojmë se Këshilli i Mediave të Shkruara në Serbi paralajmëroi se me publikimin e rrëfimit të një përdhunuesi të dënuar i cili ka vuajtur dënimin me burg, gazeta “Informer” ka shkelur disa pika të Kodit të Gazetarëve të Serbisë dhe në kundërshtim me parimin e përgjegjësisë mediatike – ka poshtëruar viktimat, ka shqetësuar publikun dhe i ka frikësuar lexuesit.

“Përdhunuesit serialë dhe banditë asnjëherë nuk kanë dhe nuk do të kenë vend në media, sepse mediat duhet të jenë partnere në luftën kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, jo nxitëse të saj”, ka thënë Zorana Mihajloviq, zëvendëskryeministre e Qeverisë së Serbisë dhe Ministre e Energjisë, për Danas.

Komisionerja për Mbrojtjen e Barazisë Brankica Jankoviq deklaroi se intervista në gazetën “Informer” me përdhunuesin e dënuar në mënyrë të përsëritur Igor Millosheviq nuk i shërben qëllimit, sepse i mungon konteksti, ndjeshmëria dhe shmangia e shqetësimit të publikut dhe ekspozimi i viktimave ndaj viktimizimit dhe vuajtjes shtesë.

Disa qindra qytetarë protestuan pardje para redaksisë së “Informerit” për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj publikimit të një interviste me përdhunuesin e dënuar Igor Millosheviq, të cilën media në fjalë e publikoi.

“Infomer” është hapur mjet propagandistik i pushtetit të Aleksandar Vuçiqit dhe jo rrallë herë ka publikuar artikuj krejtësisht shpifës dhe me gjuhë fyese për Kosovën dhe shqiptarët.

Kjo gazetë u është referuar shqiptarëve me termin fashist të Millosheviqit ‘shiptari’.