Dinari serb

Bislimi u zotua se s’ka çka shkon në Bruksel për dinarin – pas 3 javësh konfirmon se do të shkojë në Bruksel të bisedojë për dinarin

Javë më parë ishte i prerë në qëndrim për sa i përket çështjes se kush do të shkojë të përfaqësojë Kosovën në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ku ishte diskutuar rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ndaloi përdorimin e valutës shtetërore serbe, Dinarin për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e Kosovës.

Në vlerësimin e tij kjo nuk ishte çështje për kryenegociatorë, meqë, problematika ishte krejt teknike dhe aspak politike.

Është fjala për Besnik Bislimi, i cili për një periudhë tre javore ndryshoj qëndrim nga “çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut” në çështja e dinarit është pjesë e dialogut.

“Ky nuk është takim ku duhet të shkojë kryenegociatori për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut, unë shkoj atëherë kur diskutohet për Marrëveshjen Bazike”, pohonte Bislimi i para tre javëve.

Të premten e 15 marsit, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka konfirmuar se të martën, pra më 19 mars, do të mbahet takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, në nivel të kryenegociatorëve.

Stano ka bërë të ditur se në takimin që do të mbahet në Bruksel në mes të Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviç, do të diskutohet për vendimin e BQK-së për ndalimin e dinarit serb për pagesa në territorin kosovar.

“I dërguari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, u bëri thirrje të martën negociatorëve kryesorë që të vijnë në Bruksel për të vazhduar bisedimet, mbi të gjitha për të vazhduar bisedimet e nisura para disa javësh për vendimin e BQK-së në lidhje me dinarin”, deklaroi Stano në një konferencë për media të premten.

Takimi mes Bilsimit dhe Petkoviç-it, fillimisht paralajmëroi i Dërguari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Gabriel Escobar, pas takimit që pati me kryeministrin Albin Kurti, në Prishtinë.

Escobar deklaroi para gazetarëve se rregullorja e BQK-së, përveçse u shkaktoi vështirësi komunitetit serb, sfidoi edhe marrëdhëniet midis administratës amerikane dhe Qeverisë së Kosovës. Top-diplomati amerikan shtoi se shpreson që Kosova të tregohet “fleksibile” në takimin e radhës.

Ai e cilësoi “çështje urgjente humanitare” vendimin e BQK-së.

Një raund i negociatave ndërmjet ekspertëve financiarë të Kosovës dhe Serbisë u zhvillua më 27 shkurt në kryeqendrën evropiane nën kujdesin e BE-së, por përfundoi pa rezultate.

VIDEO BONUS: Escobar mbërrin në Qeveri, zhvillon takim me Kurtin