Betim Fazliji, shtyllë e mbrojtjes së Kosovës prej ndeshjeve të nëntorit

Një futbollist që vlerësohet shumë lart në Zvicër, do të bashkohet me Kosovën prej muajit nëntor. Bëhet fjalë për Betim Fazlijin, që po shkëlqen te St. Galleni.

Fazliji u bë i njohur për faktin se skuadra e tij për kohë të gjatë nuk pësoi humbje kur ai aktivizohej. Ajo periudhë përfundoi në verë, ndërsa po në verë Fazliji u kthye nga mesfushor në mbrojtës të qendrës. Dhe në edicionin e ri po shkëlqen në pozitën e re. Madje në dy xhirot e para është përfshirë në ekipin më të mirë të Superligës së Zvicrës.

Fazliji, 21-vjeçar, ka konfirmuar për KOHËN të hënën mbrëma se ka vendosur ta përfaqësojë Kosovën në nivelin senior. Ai bëhet futbollisti i radhës nga Lugina e Preshevës që bashkohet me “Dardanët”.

Pasi dokumentacioni i Kosovës nuk i është kompletuar ende, Fazliji edhe në tetor do të luajë për Zvicrën U-21. Nëse çdo gjë ecën sipas planit, ai prej nëntorit do të jetë nën urdhrat e përzgjedhësit të Kosovës, Bernard Challandes. Vendimin për të luajtur për Kosovën tashmë e ka marrë.

“Zgjedhjen e kam bërë, do të luaj për Kosovën. Nëse çdo gjë ecën mirë, sipas planit, atëherë në nëntor do të bashkohem me Kosovën. Kam folur me Bernard Challandesin, po ashtu me Bajram Shalën (menaxherin e Përfaqësueses së Kosovës v.j.) dhe është ndjenjë e mirë që do të luaj për Kosovën. Ka mbetur të rregullohet dokumentacioni. Presidenti më ka lejuar pasaportën dhe ka mbetur që të dal në fotografi për pasaportë dhe të vazhdoj procedurat. Po ndihem mirë që do të luaj për vendin tim”, ka thënë Fazliji për KOHËN të hënën mbrëma.

Në pritje të kompletimit të dokumentacionit, në tetor Fazliji do të luajë për Zvicrën U-21. Ftesën tashmë e ka marrë. Ai deri më tani ka dy paraqitje për U-20 të Zvicrës.

Fazliji ka thënë se nuk është bashkuar deri më tani me Kosovën për faktin se Kosova ishte në listën e zezë të Zvicrës sa i takon pandemisë. Sikur të udhëtonte në Kosovë do t’i duhej të izolohej pas kthimit në Zvicër. Këtë problem e kanë pasur edhe lojtarët që aktualisht janë te Kosova e që bëjnë karrierë në Zvicër.

Betim Fazliji edicionin e kaluar debutoi në nivelin senior, përkatësisht në Superligën e Zvicrës. Luajti në 26 ndeshje dhe realizoi dy gola. Më herët ishte në ekipet e grupmoshave të St. Gallenit.

Këtë edicion ka kompletuar dy ndeshjet për St. Gallenin. Më 20 shtator, ndonëse mbrojtës i qendrës, shënoi golin e fitores 1:0 ndaj Sionit. Të dielën luajti prapë mbrojtës i qendrës, ndërsa St. Galleni fitoi 1:0 ndaj Vaduzit.

Të hënën gazeta e madhe “Blick” e përfshiu në ekipin më të mirë të xhiros së dytë.

Fazliji gjithë karrierën e ka zhvilluar si mesfushor, herë defansiv e herë ofansiv. Prej kthimit në stërvitje pas pandemisë, është kthyer në mbrojtës të qendrës. Ai kishte kontratë me St. Gallenin deri në vitin 2021, ndërsa e ka vazhduar deri në vitin 2023.

“Pas kthimit në stërvitje pas paraqitjes së COVID-19, po luaj si qendërmbrojtës. Futbollin e kam mësuar si mesfushor. Gjithnjë kam luajtur në mesfushë. Por trajneri ka kërkuar që unë të luaj në qendër të mbrojtjes, duke thënë se i duhem për të mbajtur topin, për të nisur aksionet. Po më shkon shumë mirë dhe edhe unë jam më i kënaqur që po luaj në qendër të mbrojtjes. Po fitoj më shumë duele, po mendoj se po luaj më mirë në këtë pozitë. Mendoj të vazhdoj në këtë pozitë të re, ndonëse gjithnjë isha mesfushor. Trajneri ka vlerësuar se unë jam më i vlefshëm si qendërmbrojtës dhe ndryshimi po më përshtatet edhe mua”, ka shtuar Fazliji.

St. Galleni nuk e kishte të lehtë ta mbante Fazlijin, lojtari që edicionin e kaluar kishte kryesisht fitore me skuadrën.

“Kam pasur oferta të shumta. Më kanë kërkuar edhe nga Bundesliga. Por nuk ishte momenti i duhur. Nuk kam dashur të kaloj në Bundesligë e më pas të qëndroj në stol. Duhet të bëj edhe disa hapa para. Duhet të vazhdoj sukseset me skuadër e po ashtu me Kosovën”, ka shtuar Fazliji.

Kosova vuan për mungesë të konkurrencës në qendër të mbrojtjes, njëjtë si në repartet e tjera. Me shumë gjasa Fazliji do të jetë kandidat me potencial të madh për t’u stabilizuar shpejt në qendër të mbrojtjes së Kosovës. Natyrisht nëse gjërat shkojnë sipas planit dhe ai debuton shpejt.