Besnik Tahiri

Besnik Tahiri: Sulmi terrorist në veri shpëtoi Kurtin nga rrëzimi

Sulmi terrorist në Bansjkë të Zvecanit, ka shpëtuar kryeministrin Albin Kurti nga rrëzimi i postit të kryeministrit. Kështu ka konsideruar Shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri.

Tahiri në një intervistë të shkurtër për Paparacin është përgjigjur në tri pyetje kryesore rreth mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë Kurti.

I pyetur se çfarë do të ndodhë me mocionin e mosbesimit, i cili u iniciua nga partia e tij, ai ka thënë se tani pas sulmit terrorist në Banjskë, partitë opozitare së bashku me qeverinë janë bashkuar për të dënuar sulmin e sponzorizuar nga shteti i Serbisë.

Tutje ai ka thënë se tani po punohet për forcimin e sovranitetit dhe në të njejtën kohë po punohet për demaskimin e një qeverisje të dobët.

”Mocioni i mosbesimit ndaj kësaj qeverie për ne ka qenë instrumenti ma i mirë demokratik të cilin është dasht me shfrytëzu opozita, me i mbledh 40 nënshkrime dhe me e ndërpre një keqqeverisje të këtij vendi. Rrethanat e krijuara tash pas 24 shtatorit është shumë normale që e ka ndryshu situatën, për momentin, partitë opozitare dhe qeveria janë bashku rreth një rezolute për me e denu një sulm terrorist të sponzorizuar nga shteti I Serbisë që ndodhi në Banjskë në Veriun e Kosovës. Tani për tani, ajo që duhet të bëjmë është të punojmë, ta forcojmë Kosovën, ta forcojmë sovranintetin tonë po në të njejtën kohë të demaskojmë një qeverisje të dobët. Një qeverisje jozhvillimore e cila e ka gojën vetëm patriotizëm, mirëpo nuk shfrytëzon buxhetin e tri vjetëve që është mbi 6 miliardë euro për të arritur qëllimet zhvillimore të vendit”, tha ai.

I pyetur rreth hezitimit të partive tjera opozitare rreth mocionit të mos besimit, Tahiri tha se LDK-ja gjatë asaj kohë ka qenë e angazhuar me zgjedhjet e brendshme, ndërsa PDK-ja, ka hezituar për shkak se ka menduar se nuk mund të mblidhen votat për rrëzimin e qeverisë.

Tutje, Tahiri u shpreh i bindur se ky mocion do të kalonte pasi që sipas tij votat kanë qenë dhe janë, mirëpo fokusi tani për tani është në sovranitetin e vendit dhe në ballafaqimin e Kurtit me dëmet të cilat ia ka shkaktuar vendit në rrafshin e zhvillimit ekonomik.

“Partitë opozitare kanë hezitu për shkak se kanë qenë edhe në zhvillime të veta politike. LDK-ja ka qenë në zgjedhje të brendshme, ndërsa PDK-ja ka heziutu për shkak se ka mendu se nuk mundem t’i mbledhim votat. Ne atëherë dhe tash mendojmë se votat kanë qenë mirëpo tash fokusi është dikund tjetër. Është ta ruajm sovranitetin e vendit dhe ta ballafaqojmë qeverinë Kurti me krejt dëmet që është duke ia bë Kosovës në rrafshin e zhvillimit ekonomik, në temat që ndërlidhen me zyrtarët publik, me pagën minimale e mbi të gjitha me mos veprimin e vet që e ka në ekonomi”, tha Tahiri.