Bernard Berisha është futbollisti më në formë i kombëtares së Kosovës.
Berisha dje realizoi dy gola dhe bëri një asistim në takimin që skuadra e tij Akhmat Grozny e fitoi me rezultat 3-1 ndaj Ufas.
Përkundër formës së mirë, ai nuk u ftua nga Kosova për ndeshjet e tetori pas atij gjesti që bëri në drejtim të Challandesit, kur realizoi gol ndaj Greqisë.
Sulmuesi pejan është rikthyer për të folur për situatën e krijuar me kombëtaren ‘Dardane’.
Ai ka thënë se ka pasur kontakte me FFK-në, por jo edhe me stafin e trajnerit Bernard Challandes.
“Kam pasur komunikim me Federatën e Kosovës, por jo me stafin e trajnerit Bernard Challandes. Pres komunikimin nga trajneri Challandes, por nuk është problem edhe nëse nuk ftohem nga Kosova, me rendësi që Kosova të vazhdojë rrugën përpara. Nuk jam pajtuar me vendimet e trajnerit ndaj erdhi ai reagim. Nga ndeshja me Greqinë nuk kam pasur asnjë kontakt me stafin e Kombëtares së Kosovës”, ka thënë Berisha për Koha Shtesë në SSK.
Tutje ai ka folur edhe për ofertat nga klubet tjera.
“Nuk kanë munguar ofertat të largohem por nuk mendoj largimin. Këtu kam një respekt të veçantë nga presidenti i klubit, trajneri dhe fansat. Futbollit nuk i dihet por nuk mendoj largimin nga Grozny”, deklaroi Berisha.







