Kosova është njoftuar me humbjen e dytë në ‘Fadil Vokrri’. Pas Anglisë, Greqia bëhet përfaqësuesja e dytë që del me pikë të plota nga këtu.

Ndeshja e zhvilluar sonte në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ ka përfunduar me rezultatin 1-2 në favor të Greqisë, që tani prin në grup.

Grekët e filluan mirë ndeshjen, duke kaluar në epërsi që në minutën e tretë me golin e shënuar nga Dimitrios Limnios. 0-1 ishte rezultati pas pjesës së parë. Mysafirët e filluan mirë edhe pjesën e dytë, duke dyfishuar epërsinë në minutën e 51’të me golin e shënuar nga Dimitris Siovas.

Kosova filloi të ‘ngjallej’ në 15 minutat e fundit të ndeshjes, teksa golin e vetëm ‘Dardanët’ e shënuan në minutën e 82’të me autor Bernard Berishën. Por, kaq ishte nga skuadra jonë sonte.

Goli i shënuar nga Berisha ishte jashtëzakonisht i bukur, por më shumë vëmendje mori festimi i tij, i cili u tha se ishte mesazh për Bernard Challandesin, i cili nuk po i mundëson shumë minuta në lojë.

Mirëpo, Berisha pas ndeshjes për ‘Super Sport Kosova’ tha se festimi i tij nuk ishte direkt për selektorin, teksa kërkoj falje.

“Nuk kishte të bëj direkt me trajnerin. Unë për dy vite nuk kam luajtur për Kosovën, edhe pse kam pranuar të luajë ndër të parët dhe pa kushte. Dikush ndoshta mendon se ishte për trajnerin, por nuk ishte, sepse në fund vendos ai. Vetëm zemra ime e di se sa ka vuatjur për këto dy vite, ishte e momentit. Nëse trajneri mendon se ishte për të, unë i them që të mos më ftojë më, por unë do të jem i gatshëm si një ushtar që lufton për vendin e tij. U kërkoj falje të gjithëve”.

“Goli shkon për nënën time, e cila sot feston ditëlindjen” – ka deklaruar Berisha.