Karim Benzema theu gishtin e dorës në ndeshjen e fundjavës së kaluar kundër Real Betisit, por trajneri i Real Madridit, Santiago Solari ka zbuluar se sulmuesi francez do të jetë i gatshëm për ballafaqimin e vështirë kundër Sevillas.

Duke folur sot në konferencë për shtyp, Solari tregoi se planifikon të përfshijë në skuadër ish lojtarin e Lyonit, i bindur se Benzema do të paraqitet në takimin ndaj Sevillas.

“Karim ka një lëndim në gishtin e vogël. Nuk e shohim si problem për karrierën e tij, as për fundjavë dhe as për të ardhmen. Ai ka stërvitur mirë dhe ndihet mirë. Sigurisht se do të ishim më të lumtur nëse nuk do të ishte i lënduar. Benzema është pika referuese e sulmit tonë dhe përveç kësaj, ai po kalon në formë të mirë në aspektin individual. Benzema na ndihmon shumë dhe ne jemi të lumtur që e kemi atë nesër në skuadër dhe shpresojmë që të mos largohet nga fusha”, deklaroi Solari.

Humbja 1-0 kundër Leganesit në Copa del Rey nuk i prishi punë “Los Blancos” që u kualifikuan për në rundin e ardhshëm me rezultat të përgjithshëm 3-1. Në këtë përballje Isco ishte startues si rrallë më parë, ndërsa Solari ka shprehur frustrimin e tij pasi që është pyetur në vazhdimësi për fantazistin spanjoll.

“Iu jam përgjigjur në më shumë se 100 pytjeve që kanë të bëjnë me Iscon. Ai është lojtar i madh si gjithë të tjerët dhe ata kanë mundësi të njëjta aktivizimi”, nënvizoi Solari.

Ndeshja mes Real Madridit dhe Sevillas zhvillohet nesër me fillim prej orës 16:15 në “Santiago Bernabeu”.