Belgjika, Gjermania e Holanda mbyllin kualifikimet për “Euro 2020” me fitore të thella

Belgjika, Gjermania dhe Holanda kanë mbyllur me fitore të thella kualifikimet për Evropianin 2020.

Belgjika ka përfunduar grupin I me dhjetë fitore, duke arritur të kapë maksimumin e 30 pikëve. Në xhiron e fundit, kjo kombëtare “shkeli” Qipron 6 me 1. Christian Benteke e Kevin De Bruyne realizuan nga dy gola, ndërsa një e shtoi Carrasco e tjetri ishte autogol i Christoforout. Te Qipro realizoi Ioannou.

Nga Grupi I, pos Belgjikës është kualifikuar edhe Rusia.

Në Grupin C, Gjermania dhe Holanda që kishin siguruar kualifikimin më herët, fituan thellë ndaj Irlandës Veriore dhe Estonisë.

Gjermania fitoi 6 me 1 me tre gola të Serge Gnabryt, dy të Leon Goretzkas e një të Julian Brandtit. Te Irlanda shënoi Smithi.

Holanda fitoi 5 me 0 ndaj Estonisë. Hat-trick realizoi Georginio Wijnaldum, ndërsa nga një gol e shtuan Ake dhe Boadu.