Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka reaguar ndaj veprimit të disa personave të cilët shihen duke ia vënë flakën në duar një shitësi të cigareve, në një kafene në Prishtinë.

Pacolli i ka porositur personat që janë përfshirë në rast që anjëherë të mos e trajtojnë askënd në atë mënyrë.

Reagimi i tij i plotë:

Bullizmi nuk është kurrë i pranueshëm. Për ata që qeshin në video, kam vetëm një pyetje? A do të qeshnit po të ishit Ju viktima? Kjo pamje më trishtoi shumë kur pashë. Asnjëherë mos trajtoni askënd në këtë mënyrë!!

Ndryshe, Policia e Kosovës ka nisur hetimet për rastin e djegies së duarve të një shitësi të cigareve në një kafene të Prishtinës. Policia ka thënë se personat e përfshirë në ngjarje janë intervistuar gjatë ditës së sotme.

Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale cigarexhiu shihet duke tentuar ta ndalë flakën, ndërsa në sfond dëgjohen pjesëmarrësit duke qeshur me të. Askush nga të pranishmit nuk e ndihmon atë, për t’ia shuar flakët.