​Batatina paralajmëron rivalët: Koha e hakmarrjes, do t’ju godasim aty ku se prisni

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina pranon se përtej deklarimeve të tij në fillim të sezonit se ekipi që drejton do të luftojë për titull të kampionit, ishte i vetëdijshëm që nuk e kishte skuadrën në nivelin e tillë që t’i arrinte ato objektiva.

Batatina, në një intervistë për KosovaPress thotë se ato deklarata në fillim të sezonit i kishte bërë për t’i motivuar lojtarët, sepse siç thotë ai, kjo është detyrë e çdo trajneri.

“Gjithmonë si trajner nuk guxoj asnjëherë të deklaroj që nuk luftojmë për titull dhe për Evropë, sepse në momentin kur një trajner i një skuadre deklarohet dhe dorëzohet në fillim, çfarë pret skuadra në vazhdimësi të kampionatit. Këto kanë qenë deklarata të vërteta nga unë, por arsyeja pse i ka bërë ato kanë qenë për ta motivuar ekipin por në parim si trajner e kam ditur që një skuadër, e cila bërë lëvizje të shumta… e kam ditur që me ata lojtarë është vështirë për të arritur objektivin, të cilin e kemi dashur. Pa marrë parasysh atë, kemi bërë ndeshje të mira, por nuk e kemi arritur objektivin të jemi në Evropë dhe të marrim trofe”, thotë Batatina.

Por, përtej sezonit që tashmë ka përfunduar, Batatina shprehet se tashmë po mendon për sezonin e ri dhe ka një objektiv të qartë, kualifikimi në garat evropiane.

“E dimë që ishte një sezon, të cilin nuk e duan “Legjendat”, nuk e do qyteti, nuk e do Podujeva, sepse është mësuar me trofe. Normal që një skuadër që fillon çdo vit të marr trofe, ambiciet janë shumë më të mëdha, rriten apetitet, , por mendoj që duhet ta kuptojmë botën e tranzicionit të skuadrës, ka qenë Llapi në tranzicion dhe mendoj që për kampionatin që do të vijë do të jetë një skuadër shumë solide pasi këta djem janë komponuar mes vete, e njoh karakterin e çdo lojtari, lojtarët e njohin karakterin e njëri-tjetrit dhe mendoj që me disa prurje shumë cilësore do t’i arrijmë objektivat dhe shpresoj që nuk do të na ikën Evropa dhe është dështim shumë i madh nëse na ikën Evropa vitin e dytë”, thekson Batatina për KosovaPress.

Derisa konfirmon se 90 për qind e skuadrës aktuale nuk do të ndryshojë, trajneri i Llapit paralajmëron se do të afrohen edhe pesë përforcime të reja.

“Shpresoj që do t’i sjellë pesë përforcime, jo më shumë te Llapi, pesë janë të planifikuar si trajner i Llapit që kam bërë planet e mia, pesë lojtarë duhet t’i ketë Llapi për sezonin e ardhshëm. Nuk do të thotë që të pestë duhet do të luajnë, por pesë duhet të jenë shumë të fortë që të ketë konkurrencë në ekip… (11:50) Nuk do të marrim sasi, por cilësi, do t’i marrë pesë lojtarë që janë të dëshmuar në ligën e Kosovës, mund të jetë ndonjë ndërhyrje nga jashtë, por vetëm nëse ka shumë kualitet, përndryshe kamë vendosur të shkoj me lojtarë vendorë në këtë kampionat”, thekson ai.

Batatina paralajmëron rivalët se Llapi do t’i godasë ata duke ua marrë disa nga lojtarët më të rëndësishëm, sepse, siç thotë, një gjë të tillë ata ia bën Llapit vitin e kaluar dhe tani është koha e hakmarrjes.

“Neve na kanë goditur vjet rivalët tanë direkt dhe ne do t’i godasim sivjet direkt dhe është qëllimi që do të godasim direkt te ata rivalë që mendojmë se i kemi për kreun e tabelës dhe do t’ua marrim disa lojtarë shumë cilësorë që i kanë. Do të godasim aty ku ne mendojmë se kemi nevojë si skuadër. Pastaj besoj që shumë shpejtë do të bëhen zyrtare lojtarët, të cilët do t’i sjellim në skuadër, mendoj që do të jenë lojtarë të dëshmuar në ligën e Kosovës, që kanë potencial, bagazh dhe që e bartin presionin për një skuadër që lufton për Evropë”, shton Batatina për KosovaPress.

Batatina zbulon për KosovaPress se është duke u krijuar skuadra e 21-vjeçarëve të Llapit, gjë të cilën ua rekomandon edhe klubeve të tjera sepse kjo, sipas tij, pas një periudhe të shkurtër do t’i ulte shpenzimet deri në 50 për qind.

“Klubet besoj që kanë njerëz që mendojnë në këtë drejtim. Klubet mund të kenë vështirësi në vitin e parë, por vitin e dytë do të jetë shumë e favorshme për klubet. Nuk kanë nevojë klubet tona të kërkojnë lojtarë jashtë dhe të paguajnë nga 2 mijë, 3 mijë euro nuk kemi nevojë, sepse nuk kanë cilësi më shumë kur kemi mundësi të marrim lojtarë kualitativ në ligën e Kosovës djem të rinj, potencial, t’iu japim hapësirë talenteve tanë të zhvillohen dhe ata automatikisht në vitin e dytë ia ulin koston Llapit për 50 përqind… Ne po e shohim që kanë filluar problemet financiare te të gjitha klubet. Edhe Ballkani, Drita, Gjilani kanë filluar t’i ulin pagat për 50 përqind, e kanë kuptuar që nuk kanë mundësi ta mbajnë këtë ritëm që e kanë nisur. Ka qenë një gabim në fillim që e kanë bërë disa prej klubeve”, shprehet Batatina.

Ndryshe, Llapi pati njërin nga sezonet më të dobëta viteve të fundit duke u renditur në pozitën e shtatë në tabelë me vetëm 43 pikë të grumbulluara.