Zach LeDay

Basketbollisti i Partizanit të Beogradit nuk luan për Azerbajxhanin ndaj Kosovës

Thuajse të gjitha mediat e mëdha në Serbi kanë shkruar ditëve të kaluara për paraqitjen eventuale të yllit të Partizanit të Beogradit, Zach LeDay ndaj përfaqësueses së Kosovës në basketboll. Amerikani 29-vjeçar ka debutuar të enjten mbrëma për përfaqësuesen e Azerbajxhanit. Por të premten u bë e ditur se basketbollisti cilësor nuk do të jetë pjesë e Azerbajxhanit për ndeshjen ndaj Kosovës.

“Zach LeDay kthehet në Beograd dhe nuk do të luajë për seleksionin e Azerbajxhanit ndaj të ashtuquajturës Kosovë. Ky vendim u mor para se basketbollisti i Partizanit të shkonte për të debutuar për reprezentacionin e ri”, ka shkruar sajti beogradas “mondo.rs”.

LeDay prej vitit 2021 luan për Partizanin e Beogradit. Paraqitet me sukses edhe në Euroligë.

Kontributi i tij nuk i ndihmoi Azerbajxhanit të enjten mbrëma. Azerbajxhani pësoi 72:53 nga Zvicra në Fribourg, në kuadër të xhiros së parë të raundit të parë të parakualifikimeve për Kupën e Botës 2027. LeDay ndeshjen e përfundoi me 22 pikë, gjashtë kërcime e tri asistime. Ishte bindshëm lojtari më i mirë i Azerbajxhanit.

Po të enjten mbrëma, Kosova fitoi 83:76 ndaj Irlandës në Prishtinë. Të dielën, Azerbajxhani e Kosova takohen prej orës 11:00 në Baku. Irlanda e Zvicra luajnë prej orës 16:00 në Dublin. Zvicra e Kosova pritet të luftojnë për pozitën e parë në Grupin A.

Dy xhiro të tjera janë në nëntor e dy të fundit në shkurt të vitit 2025.

Azerbajxhani për herë të parë paraqitet në kualifikimet për Kupën e Botës. Vlerësohet përfaqësuese e vogël në basketbollin ndërkombëtar, por ka natyralizuar dy basketbollistë cilësorë. Pos krah-qendrës së Partizanit, LeDay, pasaportën e Azerbajxhanit e mori edhe qendra e Monacos, Donta Hall. Hall është 26-vjeçar dhe me Monacon luan në Euroligë. Te Monaco është prej vitit 2021. Basketbollisti i gjatë 208 cm, ka të kaluar në NBA. Në Euroligë këtë edicion po paraqitet me mesatare prej 4,5 pikëve dhe 3,3 kërcimeve për ndeshje.