Partitë opozitare

Bashkohet opozita shqiptare në Maqedoni të Veriut, nënshkrim në marrëveshje hedh edhe këshilltari i Kurtit

Partitë opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut, të shtunën, më 17 shkurt, kanë firmosur deklaratën për bashkimin opozitar shqiptar, të cilin e vlerësojnë si “hap të rëndësishëm drejt unifikimit të partive shqiptare” në këtë shtet, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Koalicioni opozitar do të mbajë emrin “VLEN”, ndërsa deri tani quhej Lidhja Evropiane për Ndryshim (LEN).

“Bashkimi po hedh themelet e një epoke të re mes partive shqiptare në vend, duke shfaqur një unitet të përbashkët për të përballuar sfidat dhe për të ndërtuar një vizion të përbashkët për të ardhmen e shqiptarëve në vend”, thuhet në deklaratën e nënshkruar në Shkup.

Deklarata është nënshkruar edhe nga Bekim Qoku, këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, partia e të cilit mbështet opozitën shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Lëvizja Vetëvendosja, që drejtohet nga Kurti, do të ketë anëtarë të saj në listat zgjedhore për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në Maqedoninë e Veriut më 8 maj.

Pjesë e opozitës janë partitë që deri tani përbënin Lidhjen Evropiane për Ndryshim: Lëvizja Demokratike, Alternativa, Lëvizja Besa. Tani pjesë e tyre është edhe Aleanca për Shqiptarët që drejtohet nga Arben Taravari.