2-2

Barcelona ndalet nga Atletico Madridi, bën lëshim tjetër të madh në garë për titull

Barcelona është ndalur me barazim 2:2 nga Atletico Madridi, duke e regjistruar barazimin e dytë radhazi dhe të tretin në katër ndeshjet e fundit, cili ia vështirëson tej mase përpjekjet për ta mbrojtur titullin në La Liga.

Barça e kishte dy herë në dorë epërsinë të martën në Camp Nou, falë autogolit të Diego Costas dhe penalltisë së Lionel Messit, por nuk arriti ta mbrojë atë asnjëherë për shkak të dy penalltive të shënuara nga Saul.

Barazimi i sotëm nënkupton se Barcelona i ka lëshuar plot gjashtë pikë nga nëntë të mundshme në tri ndeshjet e fundit dhe si pasojë ngel një pikë prapa liderit, Real Madrid, i cili do ta çojë në katër pikë epërsinë në krye të ligës nëse e mund Getafen në ndeshjen e kësaj jave më 2 korrik.

Skuadra e Quique Setien e mbizotëroi posedimin e topit, duke e mbajtur në zotërim mbi 70 për qind të kohës, por nuk arriti të krijojë më shumë se vizitorët nga Madridi.

Costa ia fali epërsinë Barçës kur shënoi në portën e vet pas një harkimi të Lionel Messit nga korneri në minutën e 11-të.

Reagimi i Atleticos ishte i menjëhershëm, kur Saul e barazoi rezultatin në minutën e 19-të duke e mposhjtur Marc-Andre ter Stegenin nga penalltia, të cilën e kishte shkaktuar Arturo Vidal.

Saul e mori përgjegjësinë për të gjuajtur vetëm pasi Costa e humbi atë.

Sulmuesi spanjoll shpëtoi me fytyrë këtë mbrëmje, pasi Ter Stegen kishte dalë nga portë më herët se Costa ta godiste topin nga pika e bardhë, prandaj gjyqtari urdhëroi që penalltia të përsëritej dhe portieri gjerman u ndëshkua me karton të verdhë.

Messi e ktheu epërsinë e Barçës duke shënuar po ashtu nga penalltia, atë që ishte goli i tij i 700-të në karrierë për klubin dhe kombëtaren.

Argjentinasi e mposhti Jan Oblakin duke goditur topin me panenka.

Por, në një mbrëmje penalltish, Saul e barazoi rezultatin në 2:2 me anë të fatit, pasi Ter Stegen e kishte në duar topin e goditur nga pika e bardhë por e lëshoi t’i rrëshqasë dhe të përfundojë brenda në rrjetë.