Barcelona, klubi i parë që tejkalon 1 miliard dollarë të ardhura

Klubi i Ligës së Parë Spanjolle të futbollit, Barcelona, është bërë klubi i parë në botë që ka arritur të sigurojë të ardhura prej një miliard dollarësh.

Enrique Tombas, zëvendsdrejtor dhe drejtor i çështjeve financiare i klubit shpalosi raportin financiar në lidhje me sezonin 2017-2018 që përfundoi në muajin qershor.

Sezonin e kaluar Barcelona ka fituar 1,05 miliard dollarë (914 milionë euro) dhe në këtë mënyrë është bërë klubi i parë në botë që ka kaluar kufirin prej një miliard dollarësh.

Klubi ka shpenzuar 1,017 miliardë dollarë (882 milionë euro). Pas taksave të paguara, Barcelona ka realizuar fitime neto prej 15 milionë dollarësh (13 milionë euro) dhe gjithsej 217 milionë dollarë (188 milionë euro) që nga viti 2010.

Oscar Grau, drejtuesi ekzekutiv i klubit, tha se kanë paraparë që në sezonin 2018-2019 të arrijnë të ardhura prej 1,105 miliardë dollarësh (960 milionë euro).