Sot janë zhvilluar tri ndeshjet e para të stinorit pranveror në Ipko Superligën e Kosovës, pas një pushimi dimëror më të gjatë se dy muaj. Ballkani e Prishtina e nisën këtë rrugëtim drejt titullit të kampionit me fitore, ndërsa Ferizaj e ndali Feronikelin me barazim 1:1.
Ballkani 3:0 Drenica
Jetmir Topalli e shënoi golin e parë në minutën e 18-të, në minutën e 31-të Arbër Hoxha e dyfishoi epërsinë, ndërsa fitoren e vulosi Liridon Fetahaj në minutën e 89-të. Topalli e kishte shënuar edhe një gol në minutën e tretë të ndeshjes, por ajo u anulua për shkak të një pozite jashtë loje.
Edhe golashënuesi më i mirë në skuadrën e Ballkanit, Blend Baftiu, kontribuoi në këtë paraqitje të mirë të Ballkanit, megjithatë ai nuk arriti t’i konkretizojë rastet që i pati.
Prishtina 4:0 Vushtrria
Pas fitores 4:1 kundër Vushtrrisë në çerekfinale të Kupës së Kosovës, Prishtina e dëshmoi edhe një herë se është më e fortë sesa skuadra vushtrriase, duke e mposhtur atë me rezultat 4:0 në “Fadil Vokrri”, këtë herë për ndeshjen e vlefshme për Superligë.
Endrit Krasniqi, Oto John, Gauthier Mankenda dhe Meriton Korenica ishin katër heronjtë e Prishtinës sot, të cilët ndihmuan që bardhekaltrit të mbeten edhe më tutje në garën për titull të kampionit me tre pikët e fituara sot.
Ferizaj 1:1 Feronikeli
Ferizaj arriti ta ndalë kampionin në fuqi të Kosovës, Feronikelin, duke e nxjerrë një barazim me rezultat 1:1 në stadiumin në Ferizaj, në ndeshjen e parë të stinorit pranveror, në një ndeshje që pati fund dramatik.
Ferizaj e mbylli pjesën e parë të ndeshjes me epërsi minimale falë golit të shënuar nga Kenan Orana në minutën e 40-të. Megjithatë, pas kartonit të kuq me të cilin u ndëshkua Ergon Hyseni, Ferizaj s’arriti ta mbajë të heshtur më Feronikelin, që e shënoi golin e barazimit në minutën e 75-të përmes Nicholas Andreës.







