Balla: Adem Jashari iku nga kjo botë si Hero Kombëtar, për të jetuar si legjenda e flamurit tonë

Kryetari i Grupit Parlamentarë të PS-së Taulant Balla uron 110-vjetorin e Pavarësisë duke kujtuar ditëlindjen e heroit legjendar, Adem Jashari që përkon me ditën e flamurit.

Në një postim në rrjetet sociale,  Balla shprehet se “Adem Jashari erdhi në këtë botë në Ditën e Flamurit Kombëtar dhe iku nga kjo botë si Hero Kombëtar, për të jetuar përgjithmonë, si legjenda e gjallë e flamurit më të bukur në botë”.

Adem Jashari ishte kryekomandanti dhe themeluesi kryesor i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK-së. Lindi më 28 nëntor 1955 në fshatin Prekaz të Poshtëm të Drenicës, në Kosovë dhe ra dëshmorë më 7 mars 1998 në të njëjtin fshat, gjatë Sulmit në Prekaz. Pas luftës, ai u shpall Hero i Kosovës.

Së bashku me vëllain e tij Hamzën, Adem Jashari ka marrë pjesë në sulmet kundër forcave policore–ushtarake serbe, të cilët më vonë e sulmuan shtëpinë e tij në mars të vitit 1998, ku Adem Jashari ra heroikisht së bashku me 58 anëtarët e familjes së tij.

Ky është rast unikat në historinë e luftërave. Ai njihet si “Komandanti Legjendar i UÇK-së”. Urdhëri “Hero i Kosovës” iu dha atij në vitin 2008 nga Kryeministri i Kosovës.