Luftë e hapur mes Gareth Bale dhe Real Madridit. Përplasja e fundit mes palëve, në fakt, ka ndodhur pikërisht pas sfidës së humbur nga klubi “merengues” me Real Betis, që përkoi të ishte ndeshja e radhës e ndjekur nga stoli për 29-vjeçarin Bale, të cilit edhe një herë tjetër trajneri Zidane nuk i dhuroi asnjë minutë në fushën e blertë.

Me vërshëllimën finale të takimit, Bale nuk iu bashkua grupit të lojtarëve për të përshëndetur tifozërinë, e cila përgjatë vitit të fundit e ka vërshëllyer në mënyrë konstante lojtarin Bale, edhe pse ky i fundit përkon të jetë golashënuesi i dytë më i mirë i “Los Blancos” në këtë edicion. Bale, i indinjuar, mësohet të jetë shprehur kështu në dhomat e zhveshjes:

“Kam edhe tre vjet kontratë, ndaj, nëse duan që të largohem, le të më paguajnë 17 milionë euro neto për sezon, ndryshe do të qëndroj këtu edhe sikur vetëm për të luajtur golf.”

Në të vërtetë, kontrata e tij me Realin skadon në qershor të vitit 2022, por, nëse gjërat do të ecnin sipas planit të gjigantëve spanjollë, Bale mund të rikthehej në Premier League tek Tottenhami apo Manchester United.

Ndërkohë që mbetet opsion i vlefshëm edhe kampionati italian, ku Interi prej kohësh interesohet për shërbimet e tij, edhe pse kjo mbetet një hipotezë e vështirë për t’u materializuar për një lojtar që së shpejti do të festojë 30-vjetorin, ndërkohë që ka një pagë me të lartë se 10 milionë euro në sezon.