Babai i deputetes së LVV-së e nderon Fadil Hoxhën, komunistin që i shërbeu regjimit kriminal jugosllav për të shtypur shqiptarët

Organizata e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Kosovës ka bërë homazhe të varri i Fadil Hoxhës, njeriut që i shërbeu regjimit kriminal jugosllav kundër shqiptarëve, në shënim të 9 Majit – Ditës së Fitores ndaj Fashizmit.

Nënkryetari i OVL LANÇ, Zija Mulhaxha, që është babai i deputetes së Lëvizjes Vetëvendosjes, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku ishte ndër të pranishmit që nderuan Hoxhën dhe vendosën kurora lulesh mbi varrin e tij.

“Si gjithnjë edhe sot organizata e veteranëve të Luftë së Dytë Botërore shënon datën e 9 majit si datë e ngadhënjimit të aleatëve ndaj fashizmit. Populli shqiptar si të gjithë popujt liridashës u rreshtua në anën e drejtë”, tha ai, raporton Demokracia.com.

Cili ishte roli i Fadil Hoxhës në shtypjen e kryengritjes së shqiptarëve të Kosovës?

Serbia e mbështeti Fadil Hoxhën që të luftonte kundër nazi-fashistëve, e kur trupat e këtyre u larguan prej Kosovës, Serbia e pushtoi Kosovën duke kryer krime të tmerrshme kundër civilëve shqiptarë. Por, Fadil Hoxha nuk u rezistoi forcave serbe dhe për rrjedhojë nuk u vra sikur Isa Boletini e Azem Bejta.

Në prill të vitit 1945, kur dy bashkëluftëtarë të Fadil Hoxhës, Dushan Mugosha e Mehmet Hoxha, morën pjesë në Kuvendin Antifashist Nacionalçlirimtar të Serbisë dhe deklaruan se Kosova dëshironte të bëhej pjesë e Serbisë, Fadil Hoxha nuk e tha asnjë fjalë. Për më keq, kur 142 përfaqësues të Partisë Komuniste në Kosovë, prej të cilëve një e treta shqiptarë, shumë sosh pjesëmarrës të Konferencës së Bujanit, miratuan në korrik 1945 në Prizren një rezolutë për aneksimin e Kosovës në Serbinë federale, jo që nuk pati asnjë diskutim, por rezoluta madje u miratua me aklamacion. Fadil Hoxha ishte ndër pjesëmarrësit në këtë Kuvend.

Në vitet 1945-46, salla e fizkulturës në gjimnazin ‘Sami Frashëri’ në Prishtinë ishte shndërruar në gjykatore. Këtu bashkëluftëtarët e Fadil Hoxhës, Ali Shukria në cilësinë e prokurorit dhe Xhavit Nimani në cilësinë e gjykatësit, i dënonin patriotët shqiptarë nga taborri kundërshtar. Në fund të lagjes së Çeklikut, asokohe lagje periferike në drejtim të Tauk Bahçes e të Gërmisë, në vendin që sot njihet si ‘Strelishta’, partizanët kishin hapur një gropë, në të cilën kishin hedhur veprimtarët e pushkatuar të lëvizjes nacionale të shqiptarëve që kishin kundërshtuar regjimin jugosllav. Ku ishte Fadil Hoxha kur ndodhnin këto? Cili ishte reagimi i tij? Në ditarin e luftës për periudhën 1941-1943, të titulluar “Kur pranvera vonohet”, ai e pranon vetë të ketë dhënë urdhra për vrasjen e kundërshtarëve politikë. Po ashtu, ku ishte Fadil Hoxha kur ndodhi Masakra e Tivarit, kur u mbajtën proceset e montuara gjyqësore kundër shqiptarëve të pafajshëm, siç ishte Gjykimi i Prizrenit më 1956? Për fat të keq, shumë fish më shumë u vranë civilë të pafajshëm shqiptarë në katër vitet e para të ‘çlirimit’ 1945-1949 sesa gjatë ‘okupimit’ 1941-1944.

Gjatë hetimeve në burgun e parë në vitet 1958-1959, Adem Demaçi ua pranon hetuesve se shokëve ua kishte shpallë haptazi nevojën për likuidimin e udhëheqësve kryesorë të Kosovës, që nga Dushan Mugosha e Fadil Hoxha, e se u kish sugjeruar që pas atentatit t’u vihej edhe nga një fletërrufe mbi kufoma, në të cilat t’u shqiptohej akuza: «Ku ke qenë derisa shqiptarët po i shpërngulnin për në Turqi? Ku ke qenë gjatë kohës së aksionit shtetëror për grumbullimin e armëve?». Dy dekada mbas daljes prej burgut të tretë, Demaçi e mohonte këtë pretendim. Sidoqoftë, arsyeja pse po e sjell këtë detaj këtu është se gjatë kohës sa Fadil Hoxha ndodhej në pushtet, Demaçi ndodhej sa në një burg, sa në tjetrin. Ndërsa Demaçi i mbështeste demonstratat e shqiptarëve të Kosovës më 1968 dhe më 1981 për Kosovën Republikë, Fadil Hoxha i dënonte ato me cilësimet më të ashpra, si nacionaliste, separatiste, secesioniste, irredentiste e shoviniste.