Auditori identifikon shumë parregullsi në ndërmarrjet publike

Parregullsi të shumta ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit në ndërmarrjet publike komunale të Prishtinës.

Avancat e dhëna pa bazë ligjore, regjistrimi i gabuar i shpenzimeve të sigurimit, blerja pa prokurim, dhe ndarja e prokurimeve janë disa nga dobësitë që Auditori ka gjetur në ndërmarrjen “Hortikultura”, e cila merret me mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra.

Gjatë testimit të 19 mostrave, në 12 prej tyre Auditori thotë se ka gjetur që ndërmarrja nuk ka zhvilluar fare procedura të prokurimit, shkruan sot Koha Ditore.

Prej tyre nëntë mostra ishin furnizime me mobilie dhe inventar për zyra, ndërsa tri raste të tjera pajisje të teknologjisë informative.

“Blerja e mobilieve dhe e pajisjeve të tjera, duke anashkaluar procedurat e prokurimit, ka ndikuar në favorizimin e një operatori të caktuar ekonomik dhe ka dëmtuar konkurrencën e lirë dhe transparencën”, thuhet në Raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Tutje, Auditori thekson se kryeshefi ekzekutiv kishte aprovuar kërkesat e punonjësve për t’u dhënë avance në shumë prej 50 deri në 100 euro.

Sipas librit kryesor, për vitin 2018, janë dhënë avance në vlerë 15.009 euro, ku prej kësaj shume për punëtorët e ndërmarrjes janë ndarë 14.489 euro.

Auditori thotë se ndërmarrja nuk kishte një bazë ligjore apo politikë të shkruar për dhënien e avancave ndaj punëtoreve.

Kjo ka ndodhur për shkak se ndërmarrja nuk kishte bord të drejtorëve nga viti 2013 deri në shtator 2018.

“Dhënia e avancave ndaj punëtorëve, përveçsë është e pabazë ligjore, mund të ketë si rrezik moskthimin e mjeteve në llogarinë e ndërmarrjes”, theksohet në raport, derisa vlerësohet rreziku nga kjo formë veprimi.

“Stacioni i Autobusëve” është ndërmarrja që ka përjetuar shumë ndryshime në udhëheqje dhe vështirësi në funksionimin e saj ndër vite.

Ndër dobësitë që, sipas ZKA-së, e kanë përcjellë këtë ndërmarrje gjatë 2018-s janë pagesa e bonuseve për punëtorët e ndërmarrjes, rekrutimi i punonjësve pa shpallje të konkursit publik, realizimi i të hyrave pa kontratë, blerja e mallrave dhe e shërbimeve pa procedura të prokurimit.

Auditori ka identifikuar se ndërmarrja për muajin dhjetor të vitit 2018 në formë shpërblimi për performancë të mirë në punë kishte paguar 95 punonjësit me nga 100 euro, që i bie gjithsej 9500 euro të shpenzuara.

Këto pagesa, sipas Raportit, ishin realizuar pavarësisht faktit se ndërmarrja ka operuar me humbje gjatë vitit 2017 dhe këto pagesa nuk ishin miratuar nga Bordi drejtues.

Gjithashtu, Raporti thekson se ndërmarrja me rastin e festës së Fitër Bajramit kishte paguar 95 punonjësit me nga 50 euro, derisa vlera totale e pagesave kishte arritur në 4750 euro.

Pagesa ishte bërë pavarësisht faktit se ndërmarrja ka qenë në proces të ristrukturimit për shkak të gjendjes së dobët financiare gjatë vitit 2018, si rrjedhojë e operimit me humbje nga viti 2017.

Auditori thekson se rregulloret e brendshme të ndërmarrjes nuk parashohin pagesa të tilla.

“Shpenzimi i mjeteve financiare të ndërmarrjes për pagesë të shpërblimeve derisa operon me humbje, do të ndikojë në vonesa dhe shtyrje të pagesave për obligimet ndaj furnitorëve dhe palëve të tjera, duke shkaktuar edhe ndëshkime dhe obligime shtesë”, thuhet në Raportin e Auditorit.

Mangësi të shumta Auditori ka gjetur në rekrutimin e stafit në kompaninë rajonale “Pastrimi”. Në raportin për vitin e kaluar thuhet se ky proces është realizuar në mungesë të plotë të transparencës.

“Mosnjoftimi i kandidatëve lidhur me rezultatet e konkursit, si dhe mosofrimi i mundësisë së ankesës, mund të rezultojë në transparencë të dobët, pamundësi të shfrytëzimit të së drejtës për ankesë, angazhim të personave joadekuatë, si dhe mundësi të anulimit të konkursit”, konstaton Raporti.

Anashkalimi i procedurave, të cilat kanë për qëllim të sigurojnë transparencë gjatë procesit të rekrutimit, sipas Auditorit, mund të rezultojë me manipulim të rezultateve nga personat e përfshirë në proces.

Planifikimi dhe realizimi jo i duhur i procedurave të prokurimit paraqitet si dobësi tjetër e ndërmarrjes “Pastrimi”.

“Nënshkrimi i kontratave që nuk janë paraparë në planin e prokurimit dhe moszhvillimi i atyre të planifikuara reflekton në dobësi në procesin e prokurimit duke dëmtuar transparencën, duke eliminuar konkurrencën dhe vë në pikëpyetje cilësinë e shërbimeve/produkteve të pranuara për paranë e dhënë, duke rritur rrezikun për mosrealizim efektiv dhe efikas të objektivave të ndërmarrjes”, thuhet në Raportin e ZKA-së.

Për secilën nga këto ndërmarrje, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë dhjetëra rekomandime në fusha të ndryshme.

Kjo zyrë nuk i ka publikuar raportet e auditimit për ndërmarrjet e tjera publike komunale, si “Trafiku Urban”, “Termokos”, “Ndërmarrja Publike Banesore”, dhe “Sport Marketing”.

loading…