Arsenali përjeton fillimin më të dobët në histori, Arteta buzë shkarkimit

Pas humbjes në start ndaj Brentfordit të sapo-ngjitur në Premierigë, Arsenali pëson një tjetër disfatë, këtë herë në “Emirates Stadium” në derbin përballë Chelseat, ku topçinjtë u treguan të pafuqishëm përballë kampionëve të Evropës dhe në fund kapitulluan me rezultatin 2-0.

Pozitat e Mikel Artetës në bankinë janë lëkundur ndjeshëm, pasi me dy humbje në dy javët e para dhe për më tepër me zero gola të shënuar pas 180 minutash, ky bëhet starti më i keq në historinë 118-vjeçare të klubit londinez.

Bilanci negativ mund të rëndohet edhe më shumë, duke pasur parasysh se fundjavën e ardhshme Arsenali do të përballet me kampionët në fuqi të Premier Leagues, Manchester City-n, një tjetër ekip në formë, ndaj të cilëve kanë pak gjasa të marrin rezultat.

Për më tepër, kjo ishte humbja e 20-ë e Mikel Artetës, në 60 ndeshje që drejton Arsenalin, një bilanc mjaft i keq krahasuar me Arsen Wenger, që shifrën e 20 disfatave e regjistroi pas plot 116 ndeshjesh në pankinë.

Drejtuesit e Arsenalit i besuan pankinën 39-vjeçarit Arteta në dhjetorin e 2019-ës, me bindjen që është i duhuri për të udhëhequr një cikël të ri, megjithatë pas thuajse dy vitesh punë, tani pasiguritë janë shtuar dhe bashkë me to edhe zërat për një ndryshim në stolin e “topçinjve”.

Në mediat angleze po aludohet edhe për kontaktet e para mes drejtuesve të Arsenalit dhe ish trajnerit të Interit, Antonio Conte, i cili pas “divorcit” me gjyq me Chelsea-n, ka dëshirë të rikthehet sërish në Premier League dhe të tregojë aftësitë e tij.

Pikërisht mesditën e të shtunës në “Etihad Stadium”, Mikel Arteta do të luajë edhe shansin e tij të fundit për të vijuar punën te Arsenali, pasi një tjetër disfatë ndaj Manchester City-t, mund t’i shtyjë drejtuesit të sjellin një tjetër trajner, duke shfrytëzuar edhe ndërprerjen dy javore të kampionatit, për shkak të eliminatoreve të Botërorit Katar 2022./SS