Policia e Kosovës

Arrestohet zyrtari i një komune, dyshohet se ndryshoi kufijtë kadastral të një parcele toke

Policia e Kosovës, Sektori për Hetime Financiare nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion ka pranuar informata lidhur me rastin se person/a zyrtar nga zyra kadastrale e një komune kanë ndërhyrë në sistem duke ndryshuar kufijtë kadastral të një parcele tokësore pronë e ankuesit në favor të një pale të tretë duke ja mundësuar parcelës së tij qasjen në një rrugë publike në mënyrë të kundërligjshme.

“Këtë veprim i njëjti dyshohet se e kryen përkundër faktit që kjo parcelë tokësore kishte masë të përkohshme të vendosur nga Gjykata themelore e Prishtinës, dhe me këtë dyshohet të ketë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” përcaktuar sipas kodit penal të RKS-së.

Të gjitha veprimet hetimore në lidhje me ketë lëndë janë zbatuar bazuar në autorizimin e Prokurorisë themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia shton se më datë 28.05.2024, i dyshuari është ftuar për intervistim i cili në prezencë të avokatit të tij mbrojtës është mbrojtur në heshtje.

Pas përfundimit të proceduarve të intervistimit ndaj të dyshuarit Prokuroria themelore në Prishtinë ka shqiptuar masën e ndalimit prej 48 orësh për procedura të mëtejme.