Arrestimi i protestuesve, Noka: Policët, një tufë derrash që po zhgërryheshin në uiski

Deputeti demokrat, Flamur Noka ka përdorur një gjuhë mjaft të ashpër në drejtim të Policisë së Shtetit. Në një deklaratë për mediat, Noka u shpreh se në vend që t’i shërbente qytetarëve, policia festonte arrestimin e protestuesve. Gjatë prononcimit për median, ai i quajti drejtuesit e policisë “derra”.

Noka, bashkë me disa deputetë demokratë, ishte në ambientet e Drejtorisë së Policisë, në mbështetje të protestuesve të arrestuar.

“Kemi një orë këtu pa asnjë përgjigje. Kur u ngjitëm sipër, me gjithë tentativat për të penguar fizikisht deputetët, gjetëm kupolën e policisë. I gjetëm si një tufë derrash me uiski, Red Bull e kishin shtruar. Gjithçka është filmuar. Ne na lanë në pritje pa na sqaruar. Policia e Shtetit që duhej t’i shërbente qytetarëve, ishte duke u zhgërryer jo në llucë, por në uiski e red bull e vodka. Gjoja ata po kryenin punën. Dhunë nuk ka pasur, kjo ka qenë protesta më e madhe dhe më qytetare në këto vite të demokracisë”, deklaroi Noka.