Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, vizitën e tij të parë si zv/President i UEFA-s ka vendosur ta bëjë në Kosovë.

Duka gjatë ditës së sotme i shoqëruar nga presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe ambasadori në largim i Republikës së Shqipërisë, Qemal Minxhozi, janë pritur në një takim nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjofca.

“Nisa ditën sot me një takim zyrtar, por që mund të quhet edhe miqësor për pritjen e përzemërt që Kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Glauk Konjufca më bëri. I shoqëruar nga miku im Agimi Ademi, padyshim që fokusi ishte në zhvillimin e futbollit në Kosovë, mbështetjen që qeveria e shtetit të Kosovës i jep futbollit, duke u ndalur edhe te bashkëpunimet e mëtejshme në projekte dhe politika konkrete mes dy federatave. Falënderoj z .Konjufca, jo vetëm për ftesën, por edhe për urimet me rastin e zgjedhjes sime si Zv.President i UEFA dhe vlerësimet për paraqitjen e kombëtares. Të mirëpres në Shqipëri mik!”, ka shkruar Armand Duka.