Portieri francez

Areola nënshkruan kontratë të re me PSG-në deri në vitin 2023

Paris Saint Germain ka konfirmuar se ka rinovuar kontratën e portierit Alphonse Areola deri në vitin 2023.

Areola duket se e ka fituar betejën me portierin tjetër të skuadrës, Gianluigi Buffon teksa 25 vjeçari është paraqitur në 9 ndeshje të Ligue 1 këtë sezon, kurse në Champions League janë paraqitur nga 3 herë secili.

Gardiani francez që ishte pjesë e kombëtares franceze, triumfuese në Kupën e Botës në Rusi, është shpërblyer me kontratë të re pas paraqitjeve pozitive me parisienët.

“Ishte shumë e rëndësishme për mua që të vazhdoj karrierën dhe rritjen time te Paris Saint Germain. Ky është klubi im i zemrës. Këtu e kam njohur nivelin e lartë të futbollit. Klubi më jep mundësinë që të ndjek objektiva të rëndësishëm pranë bashkëlojtarëve të jashtëzakonshëm. Me mbështetjen e vazhdueshme të tifozëve ne kemi ende edhe shumë faqe të historisë për t’i shkruar”, tha Areola për faqen zyrtare të PSG-së.

Më herët gjatë vitit kampioni i Francës ia zgjati kontratën një tjetër futbollisti të ri, mbrojtësit Prensel Kimpembe, ndërsa presidenti i Paris Saint Germainit, Nasser Al-Khelaifi deklaroi se është krenar me rritjen e lojtarëve të akademisë, të cilit janë bërë pjesë e rëndësishme e klubit të parë.