Futbollisti kuqezi

Ardian Ismajli në radarin e skuadrës së madhe turke

Ende është vetëm një projekt. Besiktas është skuadra që synon të transferojë mbrojtësin shqiptar, me mediat italiane që raportojnë se drejtuesit e klubit turk që do të takohen shumë shpejtë me Empolin për të nisur negociatat.

27-vjeçari Ardian Ismajli vjen pas një sezoni të mirë në aspektin personal, teksa zhvilloi 27 ndeshje me Empolin, por duhet theksuar se në kampionatin e fundit mbrojtësi ”kuqezi” kaloi edhe një periudhë dëmtimi.

Sipas burimeve, Besiktas, klubi turk në të cilin luajnë edhe Ernest Muçi dhe Milot Rashica është i vendosur për të mbyllur me sukses këtë operacion, për të përforcuar repartin e mbrojtjes, një kërkesë e trajnerit holandez Giovanni Van Bronckhorst.

Ismajli ka kontratë me Empolin deri në verën e vitit 2025 dhe në një situatë të tillë klubi toskan do të shqyrtojë çdo ofertë në drejtim të mbrojtësit që ishte gjithashtu i grumbulluar me Shqipërinë në ‘Euro 2024’, por që nuk luajti asnjë minutë.

Tani pritet me shumë interes për të parë se çfarë do të ndodh dhe nëse Besiktas do t’ia dalë ta transferojë Ardian Ismajlin.