Apeli liron Grabovcin dhe Sadat Gashin në rastin “Pronto”, dënohet me kusht Ilhami Gashi

Gjykata e Apelit ka aprovuar pjesërisht ankesën e Prokurorisë Speciale në rastin “Pronto”, duke dënuar me burgim me kusht prej një vjet e katër muaji dhe dy vite ndalim për ushtrim të funksionit në administrata publike sekretarin e atëhershëm të Ministrisë së Brendshme, Ilhami Gashin. Gashi ka kryer veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”.

Ndërkohë, për Adem Grabovcin, ish-deputet i PDK-së dhe Sadat Gashi, ish-këshilltar në Ministrinë e Brendshme, Gjykata ka ndarë pikëpamjen e njëjtë me Gjykatën e Shkallës së Parë.

Sipas Gjykatës, “si Grabovci ashtu edhe Sadat Gashi, nuk kanë pasur autorizime ligjore në çështjen e punësimit të personave në shërbimin civil të përshkruar si në dispozitiv andaj edhe nuk mund të jenë kryes të kësaj vepre penale sipas këtij kualifikimi në relacion me këtë formë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.

“I akuzuari I.G. si sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me të akuzuarin A.G. si deputet dhe kryetar i grupit parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Republikës së Kosovës si dhe akuzuari S.G. si person zyrtar Këshilltar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, duke keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar ka krijuar privilegje dhe përparësi mbi bazën e përkatësisë politike për punësimin e personit A.D., ashtu që në periudhën 05.12.2011 – 19.12.2011 në Prishtinë, ne kundërshtim me dispozitën e nenit 18 par.1 të Ligjin për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës nr. 03/L-149 dhe dispozitës së nenit 4 par.1 të Rregullore Nr. 06/2010 për Procedurat e Emërimit në Pozita të Larta Drejtuese në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës përmes bisedave telefonike kanë bashkëpunuar për punësimin e A.D. në pozitën Koordinator të Qendrës së regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, i cili punësim është realizuar duke mohuar dhe kufizuar në atë mënyrë të drejtat e personave të tjerë që kanë konkurruar për atë pozitë, sipas konkursit të datës 07.11.2012”, vijon njoftimi i Gjykatës.

“I akuzuari I.G. dënohet për veprën penale si në pikën 1 të dispozitivit, me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 10 muaj, ndërsa për veprën penale në piken 2 të dispozitivit dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 muaj. Në bazë të nenit 80 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, i caktohet dënimi unik me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti e 4 muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në rast se i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale në kohëzgjatje prej 2 viteve, si dhe dënimi plotësues: Ndalimin i ushtrimit të funksioneve në administratën publike apo shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 viteve. Dënimi plotësues fillojnë të ekzekutohen pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Ky rast ishte publikuar nga mediat publike, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës.

Kjo vepër për të cilën u akuzuan këta zyrtarë dhe ish-zyrtarë, sipas nenit 193, paragrafit 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, është e dënueshme prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim.

Protagonisti kryesor i asaj që është quajtur si “Afera Pronto”, ka qenë ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci.

Në vitin 2011, për herë të parë ishin publikuar në media bisedat nga disa përgjime të EULEX-it, e ku Grabovci dëgjohej duke biseduar ndër të tjerash edhe me presidentin aktual Hashim Thaçin, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe persona të tjerë të politikës, kryesisht të PDK-së.

Grabovci në atë kohë ishte duke u hetuar nga ana e EULEX-it për vepra korruptive në cilësinë e zëvendësministrit të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, mirëpo këto hetime ndaj tij ishin mbyllur në mungesë të provave.

Në këto përgjime që përfshijnë një periudhë prej dy muajve, nëntor – dhjetor 2011, Grabovci dhe bashkëbiseduesit e tij, mes të cilëve edhe ish-ministri Besim Beqaj, deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti dhe disa persona tjerë, dëgjohen duke diskuar punësimet e personave të afërt me PDK-në në institucione të ndryshme si anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura.