Apeli kthen në rigjykim rastin ndaj dy hetuesve policorë, të dënuar me 12 vjet burgim për korrupsion

Gjykata e Apelit ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe ka kthyer në rigjykim çështjen penale ndaj Lutfi Menxhiqi dhe Lavdim Osmani, të dënuar për korrupsion.

Themelorja me 14 shkurt të 2022 kishte shpallur fajtor Osmanin dhe Menxhiqin duke i dënuar në total me 12 vite burgim dhe me 8 mijë euro gjobë.

Fillimisht Osmani nga Themelorja për shkak të veprës penale në vazhdimësi në bashkëkryerje ishte dënuar me 4 vite burgim dhe me 2 mijë euro gjobë dhe për veprën penale “Marrje ryshfeti” me 3 vite burgim dhe me 2 mijë euro gjobë duke i shqiptuar kështu dënim unik me 6 vite e 6 muaj burgim dhe me 4 mijë euro gjobë.

Tutje për Menxhiqin Themelorja për shkak të veprës penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar me 2 vite burgim dhe me 2 mijë euro gjobë dhe për veprën penale në vazhdimësi me 4 vite burgim dhe me 2 mijë euro gjobë duke i shqiptuar kështu dënim unik me 5 vite e 6 muaj burgim dhe me 4 mijë euro gjobë.

Vendimi i Apelit për këtë qështje erdh pas mbajtës së seancës në këtë gjykatë me 5 prill 2023 ku edhe ishin shqyrtuar ankesat e mbrojtësve të dënuarve Lavdim Osmani avokati Muhamet Mujaj dhe për Lutfi Menxhiqin avokati Skender Musa.

Vendimi i Gjykatës së Apelit është marrë më 3 maj 2023 nga kolegji në përbërje me kryetar gjykatësin Xhevdet Abazin dhe anëtarët gjykatësit Afërdita Bytyqin dhe Hashim Collakun.

Ky kolegj ka vlerësuar se qëndrojnë pretendimet ankimore të avokatit Mujaj dhe Musa për mbrojtësit e tyre pasi që Themelorja është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave ligjore dhe se arsyetimi i aktgjykimit është në kundërshtim me dispozitat ligjore.

“Sipas vlerësimit të kolegjit penale të Gjykatës së Apelit, qëndrojnë pretendimet ankimore të mbrotjësve të akuzuarve përkitazi me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, si dhe duke vepruar edhe sipasd detyrës zyrtare aktgjykimi i ankimuar duhet anuluar, ngase është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par.2, nën par.2.7 të KPRK-së, për shkak se aktghykimi nuk është përpiluar konform dispozitës së nenit 369 par.7, lidhur me nenin 364 të KPRK-së pasi që arsyetimi është në kundërshtim me dispozitivin gjegjësisht me arsyet e theksuara në pjesën arsyetuese të aktgjykimit, njëhkosisht mungojnë arsyet për faktet vendimtare, ndërsa ato që janë dhënë, nuk janë në pajtueshmëri të plotë me provat dhe shkresat e tjera në lëndë, shkelje këto që kushtëzuan anulimin e aktgjykimit”, thuhet tutje në vendimin e Apelit.

Gjithashtu Apelit thekson edhe faktin se ekzistojnë mospërputhje mes dispozitivit dhe arsyetimit pasi që në dispozitivë thuhet se në këmbim të ryshfetit nuk ndërmarrin veprime për luftimin e lojrave të fatit kurse në arsyetim thuhet të hollat janë dhënë që mos të ngritët aktakuzë për fajde.

“Kolegji penal vlerëson se egzistonë mosëpërputhje në mes të dispozitivit dhe arsyeve të dhëna në pjesë arsyetuese të aktgjykimit, nga fakti se në dispozitiv thihet se të akuzuarit në këmbim të ryshfetit, mos të ndërmarrin veprime për luftimin e lojrave të fatit, pranojnë ryshfet që të mos vepronë, në kundërshtim em detyrën e tyre zyrtare, ndërsa në arsyetim përshkruhet se të hollat janë dhënë që të mos ngritët aktakuzë për fajde”, thuhet në vendim.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 30 qershor 2020, Osmani dhe Menxhiqi, po akuzohen se në fillim të muajit nëntor 2019, në Prishtinë, afër Gjykatës Kushtetuese, në cilësinë e hetuesve në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, kishin pranuar ryshfet.

Siç përshkruhet në aktakuzë, të akuzuarit paraprakisht ishin takuar në kafenenë “Central”, me D.H dhe kishin arritur marrëveshje, që në këmbim të ryshfetit mos të ndërmarrin veprime për luftimin e lojërave të fatit, ku posa kishin dalë nga kafeneja dhe kishin shkuar afër Gjykatës Kushtetuese, ishin takuar me Driton Berishën dhe nga ai kanë pranuar ryshfet në vlerë 1 mijë e 500 euro, në prezencë të D.H.

Tutje, në aktakuzë thuhet se më 26 nëntor 2019, në Prishtinë, afër Gjykatës Kushtetuese, dy të akuzuarit kishin pranuar ryshfet, në atë mënyrë që paraprakisht i akuzuari Menxhiqi e kishte organizuar takimin.

Në aktakuzë thuhet se ai i ka kërkuar të akuzuarit Osmani që të takohet me D.H., i cili ishte takuar me Driton Berishën dhe D.H në lokalin “Central”, derisa me veturë e kishin dërguar tek banesa e tij, e më pas Berisha ia kishte dhënë 3 mijë euro Osmanit, me qëllim që të mos pengojnë veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit.

Sipas aktakuzës, ky ryshfet ishte ndarë në mes të akuzuarve në dy pjesë nga 1 mijë e 250 euro, ndërsa 500 euro ia kishin dërguar kolegut të tyre Faton Zabergja për një rast tragjik që i kishte ndodhur.

Osmani po akuzohet edhe se më 9 janar 2020, në rrugën C, në Prishtinë, nga dëshmitari bashkëpunues D.H., kishte pranuar 3 mijë euro ryshfet, para të cilat dëshmitari Mentor Maqani, në restorant “Marigona”, afër QMI-së, ia kishte dorëzuar dëshmitarit bashkëpunues D.H.

Po ashtu, Osmani akuzohet se më 5 shkurt 2020, në lagjen “Mati 1”, në Prishtinë, nën masat e simulimit të veprës penale të korrupsionit, paraprakisht dëshmitari Mentor Maqani ia kishte dorëzuar paratë prej 3 mijë euro dëshmitarit D.H.

Më pastaj, në aktakuzë thuhet se ky i fundit ishte nisur menjëherë dhe gjatë rrugës një pjesë të kartëmonedhave i kishte ndërruar, 1 mijë e 300 euro ia kishte dorëzuar Osmanit dhe të tjerat i kishte ndalë për vete, ndërsa Osmani ishte arrestuar nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe në xhepin e tij ishin gjetur paratë të cilat ishin nën masën e simulimit.

I akuzuari Menxhiqi po dyshohet se më 4 dhjetor 2019, pasi ishin marrë vesh paraprakisht në një takim në fillim të muajit nëntor 2019 në Prishtinë, afër kafenesë “Central”, me dëshmitarin Driton Berishën dhe D.H, për t’i njoftuar për aksionet e policisë, i kishte dërguar informata dëshmitarit D.H me qëllim që të përfitojë dobi pasurore.

Këtë thuhet se e kishte bërë me 4 dhjetor 2019, kur dëshmitari D.H., i kishte kërkuar informata nëse kishte filluar ndonjë kontroll nga policia ndaj lojërave të fatit.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Menxhiqi përmes rrjetit “Viber”, i kishte dërguar mesazh D.H., duke e njoftuar se policia kishte filluar kontrollin në Fushë Kosovë duke i shkruar: ”D po dal vet, po këqyri se si i Fushë Kosovës po më duket paska hyrë s’ju kishin dhënë kompetencë edhe stacioneve më të hyjnë në do raste tani i dorëzojnë te ne, po unë po nisna menjëherë po këqyri çka ka”.

Menxhiqi po akuzohet edhe se më 5 shkurt 2020, në fshatin Stanoc i Poshtëm, Komuna e Vushtrrisë, në shtëpinë e tij, gjatë kontrollit sipas urdhërkontrollit të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda dhe zbatuar nga IPK, ishin gjetur armë automatike të zjarrit, 2 pushkë automatike AK-47, me dy karikatorë dhe të gjitha ishin konfiskuar nga IPK-ja.

Për këto veprime, prokuroria dy të akuzuarit po i ngarkon se në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale “Marrje ryshfeti”, ndërsa Menxhiqin po e ngarkon edhe me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndryshe në aktakuzë, prokuroria kishte propozuar që të pandehurve t’u ndalohet ushtrimi i funksionit në administratë publike apo funksioneve në shërbime publike pas mbajtjes së dënimit me burgim, të konfiskohen 9 mijë euro të gjetura në shtëpinë e të pandehurit Menxhiqi dhe ato të gjetura në xhepin e Lavdim Osmanit në vlerë prej 1 mijë e 300 euro gjatë arrestimit.

Gjithashtu, prokuroria ka propozuar që të konfiskohen paratë e dëshmitarit bashkëpunues, D.H në vlerë prej 4 mijë e 339 euro e 43 centë dhe 48-.00 FR, edhe pse sipas prokurorisë, D.H., kishte qenë i pandehur, mirëpo me urdhër të gjykatës kishte marrë cilësinë e dëshmitarit bashkëpunues, ka bazë të mjaftueshme që vërtetohet se gjatë pranimit dhe dorëzimit të ryshfetit paratë e veta personale i ka ndërruar me paratë të cilat kanë qenë të destinuara për ryshfet.