Simon Tisdall

Apatia e Perëndimit është armiku më vdekjeprurës i Kievit

Nga Simon Tisdall “The Guardian”

Një foshnje që kishte vetëm 2 ditë që kishte lindur, humbi jetën në një sulm me raketa në një maternitet në Ukrainën Jugore. Autoritetet thonë se të paktën 437 fëmijë kanë vdekur që nga fillimi i pushtimit rus. Më shumë se 800 të tjerë janë plagosur.

Numri i fëmijëve që do të mbeten përgjithmonë të traumatizuar nga ky konflikt është shumë herë më i madh. Çdo ditë, Vladimir Putin vret ukrainas të pafajshëm, duke mos mbajtur asgjë përgjegjësi. Stacioni i energjisë bërthamore në Zaporizhzhia është bombarduar sërish, pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura të OKB-së për një katastrofë të mundshme në mbarë Evropën.

Në Kherson-in e sapoçliruar, po zbulohen përditë prova më të frikshme të krimeve të luftës. Kudo që shkojnë rusët, është e njëjta histori tmerresh. Çdo ditë vrasësit mbeten të pandëshkuar. Sulmet e njëpasnjëshme, të pamëshirshme dhe pa asnjë dallim me raketa, po errësojnë qiejt e Ukrainës dhe po bëjnë pluhur e hi blloqet e apartamenteve, klinikat, qendrat tregtare dhe shkollat.

Moska as që pretendon qoftë edhe formalisht se synon të godasë ushtrinë ukrainase. Qëllimi i saj është të terrorizojë civilët. Shkatërrimi i rrjetit të energjisë elektrike, që garanton ngrohje dhe ujë në qytetet kryesore, të cilat po vuajnë tashmë mungesën e ushqimeve dhe ilaçeve, është çelësi i luftës së Putinit në stinën e dimrit.

Ai po përpiqet të thyejë vullnetin e Ukrainës për të luftuar, duke vënë në rrezik jetën e milionave njerëzve të rrethuar nga bora dhe akulli. Çdo ditë ai kryen krime kundër njerëzimit. Ushtria ruse e gjeneralëve vrasës, komandantëve të paaftë në terren, ushtarëve të dalë jashtë kontrollit dhe e rekrutëve fatkeq po tenton gjenocidin, asgjësimin e një kombi dhe një populli.

Parlamenti Evropian votoi javën e kaluar për ta shpallur Rusinë një shtet sponsor të terrorizmit. Ky është një hap i mirë. Por tani urdhëroni arrestimin e Putinit! Lëshoni urdhër-arresti për presidentin rus dhe gjithë bandën e tij. Dëbojini nga gjithë Evropa diplomatët e tij gënjeshtarë.

Ndëshkojini miqtë e tij. Mbyllni kufijtë për rusët. Apo është kjo qasje një qëndrim i mirë moral i Evropës? Pyetja është retorike. Ju e dini përgjigjen. Lufta dhe mizoritë e saj po normalizohen dhe gjithnjë e më shumë po relativizohen. Ku është sot zemërimi ndaj tyre?

Siç paralajmëroi Moldavia e bllokuar javën e kaluar, po afrohet një krizë tjetër e madhe humanitare dhe emigrantëve, e ngjashme me atë të pranverës së kaluar. Dhe ajo do të sfidojë çdo vend anëtar të BE-së. Megjithatë, siç po fillojnë ta tregojnë edhe problemet të shumta të lidhura me Ukrainën, mbështetja evropiane mund të lëkundet pikërisht në këtë moment kritik.

Nëntë muaj më vonë, opinioni publik perëndimor është i mpirë dhe i desensibilizuar nga një “dietë e përditshme” e masakrave të largëta, të pandërprera, pothuajse rutinë. Njerëzit nuk janë më të tronditur, madje as shumë të befasuar. Ata ndihen të pafuqishëm.

Shumica dëshiron ende që Ukraina të fitojë. Por fitorja nuk pritet të vijë së shpejti. Në mungesë të bisedimeve të paqes apo ndonjë lehtësimi, lodhja e luftës po e çon Evropën drejt apatisë. Në Itali dhe Gjermani, politikanët e ekstremit të djathtë po ankohen se “po durojnë dot më” pasojat e kushtueshme të luftës.

Protestat kundër përplasjes me Moskën po përfshijnë edhe Evropën Qendrore. Pjesëmarrësit në to i japin leje Putinit për të vazhduar me vrasjet. Dhe të mendosh që jemi ende në nëntor. Për të gjithë, më e keqja e dimrit nuk ka mbërritur ende.

Për më tepër Kievi ka limite e veta në lidhje me riparimin e shtyllave, kabllove dhe termocentraleve të dëmtuara. Sapo rregullohen, raketat ruse i hedhin sërish në erë. “Brenda një dite jemi goditur me 70 raketa. Kjo është fushata ruse e terrorit. Të prekura janë spitalet, shkollat, transporti dhe zonat e banuara”-deklaroi të mërkurën e kaluar presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy.

Si zakonisht, “reagimi i vendosur” që ai kërkoi nga këshilli i sigurimit të OKB-së nuk erdhi kurrë. Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, thotë se është e qartë se çfarë dëshiron Putin:“Një Ukrainë pa ukrainas ”.  OKB vlerëson se më shumë se 7.8 milionë njerëz kanë ikur si refugjatë nga vendi që nga fundit i shkurtit.

Miliona të tjerë janë të zhvendosur brenda vendit. Aktualisht po rritet shqetësimi për një eksod të dytë. “Tani për tani, në të gjithë vendin, njerëzit po përballen me një zgjedhje të zymtë:të ikin ose të ngrijnë nga i ftohti”- thotë Jan Egeland i Këshillit Norvegjez të Refugjatëve.

Me temperaturat që bien deri në -20 gradë Celcius, sistemi shëndetësor i Ukrainës po përballet me ditët e tij më të errëta deri më tani, paralajmëroi drejtori rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Hans Kluge. “Thënë thjesht, ky dimër do të jetë realisht një çështje mbijetese”-shtoi ai.

Vendet e NATO-s kanë ofruar miliarda ndihmë financiare dhe sisteme armësh për Ukrainën. Por ritmi i saj po ngadalësohet. Paketa e fundit e sanksioneve të BE-së është zbutur dhe vonuar vazhdimisht. Ndërsa unioni po grindet mbi çështjen e vendosjes së një çmimi tavan ndaj naftës ruse.

Ndërkohë Perëndimi po përpiqet të përmbushë nevojën e dëshpëruar të Ukrainës për mbrojtje kundër raketave ruse. Rezervat e raketave Stinger, S-300, Nasams, Haëk dhe Starstreak janë të vogla. Furnizimet me sisteme më të sofistikuara, si American Patriots nga SHBA dhe Iris-T nga Gjermania, janë të kufizuara nga problemet e prodhimit dhe trajnimit.

Nëse SHBA-ja, Britania dhe të tjerët do t’ia kishin vënë veshin lutjeve të Zelensky që në pranverë për krijimin e zonave të sigurta të garantuara nga NATO, apo ndonjë formë të zonave të ndalim-fluturimit, ukrainasit mund të ishin kursyer nga ferri që po përjetojnë sot nga raketat ruse.

Gjithsesi nuk është vonë për të vepruar. Ndërsa lufta po bëhet një fakt i jetës së përditshme dhe po përhapen shumë pasojat negative, a do të bjerë akoma më tej mbështetja publike? Sipas një sondazhi të “Eupinions”, ndjenja pro-Kiev në Evropë është në nivelin 57 për qind, raporton abcnews.al.

Por kjo shifër ra gjatë në verës, teksa po zgjerohet “kampi i paqes”. Për shembull, 60 për qind e gjermanëve favorizojnë një zgjidhje diplomatike të konfliktit. Në SHBA, kënaqësia për sukseset ushtarake të Ukrainës ka çuar paradoksalisht në një vetëkënaqësi, dhe e ka reduktuar fokusin tek kërcënimet e vazhdueshme.

Kur republikanët të marrin në janar kontrollin e Kongresit, ndihma ndaj Ukrainës mund të ndërpritet. Në të kundërt, brenda vetë Ukrainës, po forcohet vendosmëria e publikut. Krenaria për kombin ukrainas dhe ndjenjat pro-perëndimore dhe pro-BE, nuk kanë qenë kurrë më të forta, përfshirë këtu edhe atë midis rusëve të pakicës etnike.

Në përgjithësi, 89 për qind e të anketuarve në një sondazh e akuzuan Rusinë për gjenocid. Populli ukrainas ka një forcë të frikshme. Ai ka treguar se mund të mposhtë armiqtë. Por a duhet të kenë frikë ukrainasit nga miqtë e tyre? Një dobësim i mbështetjes së SHBA-së dhe i Evropës, që mund ta lërë Ukrainën në errësirë dhe në të ftohtë, është ndoshta rreziku më tronditës me të cilin po përballen.

Putini po var shpresat mbi këtë skenar. A do të mundet që për hir të një jete të qetë, popujt e Perëndimit të “lodhen” me luftën, deri në pikën sa të jenë gati të injorojnë apo edhe të tolerojnë vrasjet masive, krimet e luftës dhe shkatërrimin e një kombi sovran, duke e quajtur atë si “normalitetin” e ri? Ky është testi më i madh i demokracisë. Çdo ditë gjërat në Ukrainë po bëhen më të vështira.

Por një gjë është e sigurt:ky do të jetë një dimër i gjatë.