Anton Cena e priti ambasadorin japonez Takeda, mori lëvdata për qendrën sportive “Majlinda Kelmendi”

Anton Cena ka bërë mund dhe sakrifica të mëdha viteve të fundit për ta jetësuar projektin që e kishte ëndërruar gjithmonë.

Veterani i xhudos dy vjet më parë e finalizoi projektin e ndërtimit të palestrës së xhudos, respektivisht qendrën sportive “Majlinda Kelmendi” në Tale të Shqipërisë.

Një palestër moderne dhe e veçantë, pasi aty sportistët, krahas përgatitjeve në palestër, mund ta shfrytëzojnë edhe plazhin, që gjendet pak metra më larg.

Ideja është që në këtë palestër të vijnë dhe të ushtrojnë sportistë edhe nga vendet tjera të botës, jo vetëm xhudistë, por edhe sportistë të tjerë nga sportet luftarake.

E Cenën, i cili është kampion bote i xhudos për veteranë, po e përgëzojnë personalitete të ndryshme për projektin gjigant të realizuar në bregdetin shqiptar.

Së fundmi, vizitë Cenës dhe palestrës “Majlinda Kelmendi” i bëri edhe ambasadori rezident i Ambasadës japoneze në Tiranë, Mitsuyuki Takeda.

Ky i fundit e vlerësoi lartë qendrën sportive, e cila është ndërtuar për afro katër vjet.

Gjithashtu, të pranishëm ishin edhe zyrtarë të tjerë komunalë të Bashkisë së Lezhës dhe Shën Kollit.

Cena u ndie i nderuar me vizitën dhe i ka falënderoi mysafirët që i priti.

Dy vitet e fundit u përshkuan me pandeminë COVID-19, e cila e pamundësoi ardhjen e sportistëve nga jashtë.

Por, Cena shpreson dhe beson që deri vitin tjetër të rikthehet normalitetin dhe qendra sportive “Majlinda Kelmendi” të mirëpresë sportistë nga vende të ndryshme të Evropës, e pse jo edhe më larg.

Më poshtë mund ta shihni postimin e Anton Cenës në rrjetet sociale: