Fidan Aliti është çështja më e nxehtë në kampin korçar në këtë merkato.

Ndërkohë që skuadra ka nisur përgatitjet për pjesën e dytë të sezonit në kompleksin Tropikal në Durrës, drejtuesit e Skënderbeut po punojnë për të bërë të mundur shitjen e mbrojtësit të përfaqësueses kosovare për të forcuar akoma edhe më shumë financat e skuadrës.

Për Alitin që në të kaluarën ka luajtur në Superligën zvicerane dhe kampionatin kroat interesohen dy skuadra suedeze.

Hammarby është klubi që ka shfaqur më shumë interes për 25-vjeçarin nga Presheva që përveç se si mbrojtës qëndre bën shumë mirë edhe rolin e mbrojtësit të majtë. Por shuma që kërkon Skënderbeu për të lënë të lirë Alitin ka trembur drejtuesit e Hammarbyit të cilët mesa duket janë tërhequr nga gara për të firmosur me mbrojtësin e Kosovës.

Sëfundmi në skenë ka dalë Malmo klubi më i madh suedez dhe më i titulluar në Allsvenskan, skuadër tek e cila aktivizohet edhe mbrojtësi i përfaqësueses kuqezi, Egzon Binaku. Gjithsesi presidenti i Skënderbeut Ardjan Takaj nuk e lë të lirë Alitin nëse nuk arkëton vlerën e 500 mijë eurove, një shifër që konsiderohet e lartë kjo edhe nga Malmo, mbetet për t’u parë se cila do të jetë përgjigjia e drejtuesve të klubit suedez.