Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, anuloi takimin me kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, ku do të merrte edhe Çelësin e Tiranës.
Kurtit i duhej të kthehej patjetër në orarin e përcaktuar në Prishtinë për të pritur Minsitrin e Jashtëm italian, ndaj dhe duhet të zgjidhte mes dy takimeve të fundit në axhendë. Mes Veliaj dhe kryeopozitarit Basha, ai zgjodhi këtë të fundit.
Pas takimit në selinë blu, Basha dhe Kurti patën dhe një prononcim për mediat.
“Shqipëria të jetë në nivel të detyrës jo vetëm zyrtare, por edhe historike, për qytetarët tanë që siç e dimë janë edhe me varfërinë më të madhe, edhe me papunësinë më të madhe në rajonin tonë. Është obligim i yni si politikanë kudo që jemi tërë kohën të jemi në shërbim të qytetarëve edhe të Kosovës, edhe Shqipërisë për të ngritur dinjitetin dhe mirëqënien e tyre”, – tha Albin Kurti.
“Për PD dhe opozitën e bashkuar prioritetet e bashkëpunimit me Republikën e Kosovës janë të qarta dhe do të bëjmë gjithçka për të ndihmuar në tregtinë e lirë, në integrimin ekonomik të Shqipërisë dhe Kosovës, për ti dhënë shanse për punësim qytetarëve tanë dhe në veçanti rinisë, për të ndalur shpopullimin që është shkak i drejtëpëdrjtë i korrupsionit dhe kapjes së shtetit nga krimi i organizuar sikundër edhe për angazhimin tonë sot dhe nesër për të vazhduar fuqimisht mbështetjen për njohjet ndërkombëtare dhe anëtarësimin e Kosovës në organizma ndërkombëtarë, sikundër dhe për heqjen e vizave”, – tha Basha.







