Policia në Gjilan

“Albert Malisheva” kërkohet nga policia për fajde, lajmërohet në Facebook: Jam në pushime, nuk jam në arrati

Policia e Kosovës e ka vazhduar sot aksionin kundër fajdes në Gjilan.

Nga ky aksion të arrestuar janë dy persona të dyshuar, ndërsa një tjetër mbetet në kërkim.

Personi i kërkuar nga Policia e Kosovës i cili ishte edhe ishte cak i tyre është Albert Rexhepi i njohur si “Albert Malisheva”, shkruan Insajderi.

Këtë ai e ka konfirmuar edhe përmes një komenti në faqen e RadioStar në Facebook. “Nuk jam në arrati po jam në pushim dhe ju përgjigjna thirrjes së policisë dhe prokurorisë”, ka shkruar “Albert Malisheva”.

I njëjti është kontaktuar edhe nga Gazeta Insajderi por ende nuk kemi marrë ndonjë përgjigje nga ai.

Personat e arrestuar dyshohet se në këtë rast kanë ushtruar presion dhe kërcënime ndaj viktimës me qellim të marrjes së interesit nga veprimtaria e fajdes dhe si rezultat i veprimeve të kundërligjshme personat e dyshuar i kanë shkaktuar dëme materiale viktimës në vlerën mbi 600.000 euro.

Gjatë operacionit policor në cilësi të provave materiale janë sekuestruar tri vetura, motorë sportiv, armë dhe municion, kartëmonedha euro, dokumente të ndryshme si dhe dëshmi tjera materiale të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj të dyshuarve.