IPTV

Aktivizohet prokuroria kundër IPTV-ve ilegale

Shumë shpërndarës ilegalë të përmbajtjes së operatorit kabllor Artmotion, do të përballen me ligjin.

Kjo pasi kompania shpërndarëse e shërbimeve mediale audiovizuele, ka ngritur disa kallëzime penale meqë këta persona shesin në mënyrë ilegale kanalet për të cilët ArtMotion ka paguar shuma të mëdha eurosh për t’u licencuar.

E këto raste, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar se është duke i trajtuar.

Në një përgjigje për Klan Kosova, nga ky institucion kanë thënë se prokurori i rastit ka autorizuar policinë në grumbullim të informatave dhe provave lidhur me këtë çështje.

“Ju njoftojmë se rasti në fjalë është duke u trajtuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. Prokurori i rastit ka autorizuar policinë në grumbullim të informatave dhe provave lidhur me këtë çështje”, kanë thënë nga PTh-ja e Prishtinës, për të shtuar se në këtë fazë, nuk mund të japin më shumë detaje.

Ndërkohë, avokatja Blinera Osmani, ka kërkuar Prokuroria e edhe institucionet e tjera të shtetit të aktivizohen për të ndalur transmetimin e IPTV-ve ilegale.

Ajo tha se Kosova ka rrezik të shndërrohet në një strehë të operatorëve ilegalë, sepse “nuk ka veprime nga autoritetet”.

“Korniza ligjore është e mjaftueshme por sa praktikohet nuk është e kënaqshme. KPM nuk ka pasur kapacitete andaj ne kemi kërkuar gjithmonë që të bëhet një task-forcë, ku përfshihet policia, prokuroria, gjykata dhe ARKEP-i, sepse identifikimi i tyre bëhet lehtë, por duhet të merren masa si zinxhir i krejt këtyre institucioneve sepse identifikimi i tyre është i lehtë, por duhet të merren masa në bllokimin e IP adresave të tyre që veprojnë përmes platformave online të rrjetit të hapur”, ka thënë avokatja Blinera Osmani.

Bllokimi i sinjaleve ilegale duhet bëhet me urdhër të institucioneve të drejtësisë, të cilat në pak e hiç raste po veprojnë kështu.

Avokatja Osmani, që trajton shumë raste të tilla, po thotë se duhet të behet edhe edukimi i qytetarëve për mosblerje të kanaleve të IPTV.

Ata që shesin IPTV ilegale, sipas kallëzimit penal që ka dorëzuar Artmotion, kanë kryer veprat penale të shitjes pa autorizim të shërbimeve, veprim në kundërshtim me standardet e rregullta të afarizmit, përfitim në mënyrë të kundërligjshme dhe përdorim i padrejtë i punës së mbrojtur me të drejtat e autorit.

Institucionet e drejtësisë në vend kanë nisur të lëvizin në rastin e shfrytëzimit ilegal të përmbajtjeve televizive.