Policia e Kosovës

Aksioni në Zubin Potok ku u arrestua një person e u konfiskuan armë, Policia tregon çka gjeti në shtëpitë e të dyshuarve

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me aksionin e djeshëm në Zubin Potok, ku u arrestua një person dhe u konfiskua armatim.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë, në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur: Një armë e gjatë M-48, dy fishekë për pushkë gjuetie, katër telefona mobil, një laptop, një granad dore M-75 prodhim Jugosllav, një Radio lidhje “Baufeng” dhe një Jelek taktik.

“Ndërsa në shtëpinë e të dyshuarit tjetër po ashtu mashkull kosovar janë gjetur dhe sekuestruar: një pistoletë me karikator, “Zoraki 917-T”, një Kuti me katër (4) fishekë për pistoletë, një kapelë ma emblemë serbe dhe dy emblema me flamur serb. Lidhur me rastin, është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar, dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

Ndryshe, Ministri Xhelal Sveçla ka bërë të ditur mbrëmë se është zhvilluar një aksion në Uglarë të Zubin Potokut, ku edhe janë konfiskuar disa armë. Sveçla ka thënë se personit që i janë gjetur armët është arrestuar dhe lënda është iniciuar në Prokurori.

Sveçla ka thënë se s’do të ketë asnjë kompromis ndaj krimit, individëve apo grupacioneve që cënojnë sigurinë e vendit tonë dhe qytetarëve të Kosovës.

“Vijon suksesshëm angazhimi ynë në ç’rrënjosjen e krimit dhe largimin e mbetjeve kriminale të Serbisë në vendin tonë.Armë dhe mjete eksplozive si granatë dore, armë e gjatë, municion, radiolidhje, antiplumba e pajisje teknologjike janë zbuluar sot nga Policia e Kosovës gjatë bastisjes në një lokacion në fshatin Uglarë të Zubin Potokut. Personit të cilit i janë gjetur këto armë e pajisje është arrestuar dhe lënda është proceduar në Prokurori. Asnjë kompromis ndaj krimit, individëve apo grupacioneve që cënojnë sigurinë e vendit tonë dhe qytetarëve tanë.Nuk do të ndalemi së punuari në mbrojtje të interesave tona shtetërore, siguri ndaj vendit e qytetarëve tanë, sundim të rendit dhe ligjit në çdo cep të Republikës sonë”, ka shkruar Sveçla.