Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka sqaruar, në një konferencë për shtyp, incidentin sa i përket akuzës së Llapit.
Llapi e akuzoi FFK-në se, para derbit të së shtunës, ia ka dhënë Prishtinës 38 mijë euro premi për ta mposhtur ekipin nga Podujeva, gjë që nuk ndodhi në fushën e blertë.
Mirëpo, sot, FFK-ja i mohoi këto akuza përsëri. Sipas Ademit, nuk bëhet fjalë për 38 mijë euro, por bëhet fjalë për 12 mijë e 500 euro, të cilat i janë ndarë Prishtinës për shkak të të drejtave televizive, të paguara nga Digitalb, dhe për 8 mijë euro, të cilat paguhen për akademinë nga një projekt i UEFA-s.
Sipas Ademit, këto dy shuma parash ndahen për klubet qysh në fillim dhe iu dorëzohen klubeve kurdo që kanë nevojë. FFK-ja ia ka dhënë Prishtinës ato para pikërisht para ndeshjes kundër Llapit sepse atë herë i kishte kërkuar klubi kryeqytetas.
“Ajo shuma, 38 mijë euro, nuk qëndron dhe nuk ka qëndruar. Prandaj, jemi me të gjithë Komitetin këtu për ta sqaruar se ajo nuk qëndron. Klubet marrin vetëm ato para që u takojnë nga Federata e Futbollit, asnjë cent më shumë, përveç atyre që u takojnë. Ne do t’u ndihmojnë të gjitha klubeve aq sa kemi mundësi”, ka thënë Ademi.
“Superliga i ka pagesat e të drejtës televizive, që i transmeton ndeshjet, që i kanë të rregullta, si dhe i kanë paratë e sponsorit IPKO. Secili klub i merr në baza të barabarta. Të gjithat pagesat do të verifikohen sepse të gjitha bëhen përmes bankës”.
“Kontratat me Digitalbin, çdo klub i ka nënshkruar në fillim të sezonit. Ne nuk kemi ndikim aty, por ne jemi për t’iu ndihmuar. Për këtë arsye, kur klubet kanë nevojë t’i marrin këto para më herët, ne ua japim më herët, siç ka ndodhur me 7 apo 8 klube këtë sezon, si Llapin”.
“Edhe klubet të cilat shkojnë në garat e UEFA-s, Europa League dhe Ligën e Kampionëve, ne ua japim paratë më herët për t’iu ndihmuar. Ndërsa 8 mijë euro i janë dhënë Prishtinës për akademinë e futbollit. Kjo shumë i jepet të gjitha klubeve dhe është projekt i UEFA-s”.
Siç dihet, Feronikeli, Prishtina dhe Llapi janë në luftë të madhe për titullin e kampionit.







