Dardanët

Ademi: Kishim 86 mijë kërkesa për bileta për ndeshjen Kosovë – Zvicër, biletat VIP u shitën të parat!

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka konfirmuar interesimin e jashtëzakonshëm për ndeshjen Kosovë-Zvicër, e cila zhvillohet të shtunën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në orën 20:45.

I pari i futbollit kosovar ka zbuluar shifrën e kërkesave të tifozëve në platformën online për të pasur një biletë të kësaj ndeshje.

“Më vjen mirë për të gjithë ata që kanë arritur të marrin bileta, e më vjen keq për të gjithë ata që kësaj radhe nuk kanë pasur fatin të sigurojnë një të tillë, por interesimi ka qenë i jashtëzakonshëm. Ne i shohim statistikat në sistem se sa kanë qenë kërkesat dhe kësaj radhe qenë 86 mijë kërkesa apo klikime të njerëzve për të blerë bileta. Sigurisht kjo na bën të ndihemi mirë sepse e kemi një përkrahje të madhe, por njëjtën kohë na vjen keq që nuk e kemi një stadium me kapacitet më të madh. Sikur ta kishim një stadium me 30 mijë ulëse sigurisht se ai do të ishte përplot në çdo ndeshje”, ka theksuar Ademi, në një intervistë për emisionin “Metropol” me Xuxin në Radio Kosova.

Ai ka thënë se vetëm tifozë të regjistruar si Dardanë janë rreth 7 mijë. “Dardanët janë fuqia jonë e përbashkët dhe në ndeshjen me Zvicrën jam i bindur se jemi 12 lojtarë, duke i përfshirë Dardanët. Ata i falënderoj për korrektësinë dhe për gjithçka që bëjnë për ekipet zinxhir të kombëtares. I ftoj që ta kemi një koerografi të mirë dhe një atmosferë madhështore e me kulturë sportive siç e kanë dëshmuar deri më tash”, ka shtuar Ademi.

Një fakt tjetër interesant që e ka zbuluar i pari i futbollit është edhe tek sektori i biletave VIP. “Biletat e para që janë shitur kësaj radhe kanë qenë biletat VIP. Kjo ka ndodhur për herë të parë, por është edhe e pritur duke parë interesimin e madh edhe të shqiptarëve të Zvicrës për të qenë pjesë e kësaj ndeshje. Dihet se në Zvicër një biletë VIP është mbi 400 franga, derisa tek ne ka qenë 80 euro dhe për bashkëatdhetarët tanë ka qenë çmim i lirë”, ka thënë Ademi.