Abazoviqi ‘lakmon’ Ohrin, ofron që negociatat Kosovë-Serbi të mbahen edhe në Mal të Zi

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, u shpreh se Mali i Zi është i gatshëm të ndihmojë në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në çfarëdo mënyre, duke përfshirë edhe mbështetjen logjistike.

Ai gjithashtu theksoi se Mali i Zi ‘’luan rolin e pajtuesit’’ në rajon- raporton Vijesti.

“Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha vendet fqinje dhe jemi të etur të ndihmojmë në çfarëdo mënyre, duke përfshirë mbështetjen logjistike”- tha ai në një intervistë për Pavlovic Today, gjatë vizitës në SHBA.

Abazoviq gjithashtu ofroi që një raund i ri negociatash të mbahet në Mal të Zi.

“Ne nuk jemi pjesë e dialogut, por besoj se propozimi evropian paraqet një zgjidhje të mirë, të favorshme për Serbinë dhe Kosovën” – tha ndër të tjera kryeministri Abazoviq.