A po tentohet që sërish t’i vazhdohet jashtëligjshëm mandati sekretarit të UP-së, Esat Kelmendi? (DOKUMENT)

Një kërkesë të dyshimtë i kishte parashtruar në vitin 2018 ish rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës (UP).

Dema i kishte kërkuar Këshillit Drejtues të UP-së që t’i vazhdohej mandati edhe për tri vite të tjera sekretarit të Universitetit të Prishtinës, Esat Kelmendit, pasi mandati i tij përfundonte gjatë muajit tetor të atij viti.

Mirëpo kërkesën e Rektorit Dema e kishte cilësuar të jashtëligjshme një pjesë e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, i cili është organi më i lartë drejtues i universitetit më të madh publik në vend.

Se ish rektori Dema ia kishte vazhduar mandatin sekretarit Kelmendi në mënyrë të dyshimtë, e kishte konfirmuar aso kohe edhe ish nënkryetarja e Këshillit Drejtues të UP-së, Laura Kryeziu.

Kryeziu i kishte thënë Insajderit se kërkesa e ish rektorit Dema ishte në kundërshtim me nenin 39 të statutit të UP-së.
“Ne kemi marrë një kërkesë të tillë për vazhdimin e kontratës. Unë e kam bërë qëndrimin tim edhe me shkrim, do të thotë është eksplicit, që ne duhet ta respektojmë nenin 39 të Statutit të UP-së, ku rektori mundet me na rekomandu kandidatë vetëm përmes konkursit publik”, ishte shprehur Kryeziu.

“Në mënyrë kategorike unë kërkoj që të hapet konkursi për këtë pozitë”, kishte thënë Kryeziu. “Për këtë qëndrim timin më ka mbështetur edhe Kryesuesja e Këshillit Drejtues [Ardiana Bunjaku, v.j]”.

Pas mbledhjes, kryetarja e Këshillit Drejtues të UP-së, Ardiana Bunjaku kishte thënë se personalisht ka qenë që të hapet konkurs për këtë pozitë mirëpo vendimi është marrë përmes votave të Këshillit, raportonte aso kohe Koha Ditore.
“Kanë qenë dy propozime, njëri që të hapet konkurs dhe tjetri që t’i vazhdohet mandati. Kemi qenë 8 anëtarë të Këshillit, dhe sipas votave 5 i kemi për vazhdim të kontratës dhe 3 që të hapet konkurs”, kishte thënë ajo.

Vendimin e 25 tetorit të vitit 2018 për vazhdimin e mandatit të sekretarit aktual të UP-së e ka siguruar Ballkani.info.

Në atë vendim, Këshilli Drejtues i UP-së thirret në nenin 39 të Statutit të UP. Mirëpo, kur shikohet ai nen, aty thuhet qartë se “sekretari i Universitetit zgjidhet nga Këshilli Drejtues sipas propozimit të rektorit, të bazuar në raportin e komisionit profesional të zgjedhur nga rektori, në bazë të konkursit publik”.


Në vendimin e vitit 2018 për vazhdimin e mandatit të sekretarit Kelmendi ishte përmendur edhe neni 22 i Rregullores Nr. 06/2021 për Pozitat e Lartë Drejtues në Shërbimin Civil.


Ky nen thotë: “Nëse pas tri vitesh Ministri konsideron të kënaqshme performancën e zyrtarit të lartë drejtues, atëherë ai/ajo i drejtohet Këshillit së bashku me një arsyetim për vazhdimin e kontratës së zyrtarit të lartë për një mandat tjetër tre vjeçar”.


Dhe tash kur i ka përfunduar mandati Esat Kelmendit, ka zëra se atij sërish në mënyrë të dyshimtë jashtëligjore mund t’i vazhdon edhe për tri vite mandati i ri.

Të kujtojmë se përveç pagës bazë si sekretar i Universitetit të Prishtinës, Esat Kelmendi ka marrë edhe mijëra euro të tjera shtesa dhe mëditje për “punët e tij shtesë dhe jashtë orarit të punës” në universitet.
Ballkani.info ka siguruar dokumente që dëshmojnë se Esat Kelmendi është paguar me shifra të majme për mëditje dhe shtesa.

Esat Kelmendi, sekretar i përgjithshëm i Univeristetit të Prishtinës del të jetë njëri nga personat me të paguar në shtetin tonë sa i përket pagës që merr nga buxheti i Kosovës. Paga e tij vjetore, mesatarisht, është mbi 30 mijë euro, gjë që ia kalon edhe kryeministrit të vendit.

Në bazë të disa transaksioneve bankare të cilat ka arritur t’i sigurojë Ballkani.info, në shtator të vitit të kaluar, Esat Kelmendi ka marrë pagë 4 mijë e 174 euro e 99 centë.

Duket e pabesueshme, por Kelmendi gjatë këtij muaji veç honorare i ka marrë plot 2 mijë e 245 euro.
Në këtë shumë prej 4174 eurove futet edhe ‘shtesa funksionale’ prej 250 eurove, të cilën Esat Kelmendi e merr çdo muaj dhe atë që një kohë të gjatë.

Kelmendi në mars të këtij viti është paguar 2 mijë e 642 euro, nga të cilat 712 euro ishin honorare. /Ballkani.info/