Krasniqi për betimin e kryetarëve në veri: Qeveria u ka bërë presion kandidatëve, duan ta mashtrojnë vetveten se neve s’munden

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi në lidhje me ceremoninë e betimit të kryetarëve në katër komunat veriore ka kritikuar qeverinë për neglizhencë të veprimeve.

Kreu i PDK-së ka thënë në RTV Dukagjini se qeveria është dashur të krijojë kushtet dhe kontekstin që kryetarët të bëjnë betimin dhe jo t’ju bëjë presion kandidatëve përmes ministrave të linjës që të ndërrohet vendi për ceremoninë e betimit.

Sipas tij, nëse nuk ka kushte për ceremoninë e betimit të kryetarëve duhet të ketë komunikatë zyrtare nga qeveria dhe jo të ketë komunikime përmes ministrave.

“Ka pasur presion nga qeveria dhe MAPL që të ndërrohet vendi dhe data. Nuk duhet të fshehen qeveria dhe ministrat, duhet të rekomandojnë një vend të caktuar dhe një orë ku të mbahet. Neve krejt çka na takon dhe gjithë ajo që kemi kërkuar me respekt dhe pa presion, kemi thënë të krijohet konteksti dhe kushtet që kryetarët të bëjnë betimin. Nuk e di kë dojnë ta mashtrojnë vetveten sepse neve nuk mund të na mashtrojnë”, ka thënë Krasniqi.

Kryetarët e zgjedhur në tri komunat veriore, Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan pritet të betohen të enjten në orën 10:00, në objektet publike të komunave dhe jo tek asambletë komunale.

Këtë e ka konfirmuar sot sekretari i PDK-së, Betim Gjoshi, ndërsa nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, thanë se gjatë së martës do të dalin me një njoftim zyrtar në lidhje përcaktimin e datës për betimin e tre kryetarëve në komunat veriore.

“Me kërkesë të MAPL-së është caktuar data 25 maj për betimin e kryetarëve në tre komunat veriore në objektet publike të komunave”, tha sekretari Gjoshi.

Më 23 prill, në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale. Sipas KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje fitoi garën për kryetar komune në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq. Partia Demokratike e Kosovës fitoi në Zveçan dhe Zubin Potok.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë nuk mori pjesë në zgjedhje dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë që ta bojkotojnë procesin zgjedhor.

Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.