Rasti që rrezikon presidenten dhe qeverinë qe dy vjet në Kushtetuese, Veton Berisha thotë se vonesa është e pakuptimtë

Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane dhe Albert Kinolli nga komuniteti rom, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 kishin ngritur pretendimet për orkestrim të votave. Sipas tyre ky orkestrim ishte bërë në bashkëpunim të Listës Serbe me Iniciativën Rome. Berisha dhe Kinolli më datë 13 prill 2021, i ishin drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Sot janë bërë dy vjet prej kur kjo lëndë është deponuar në Gjykatën Kushtetuese. Ky institucion ende nuk e ka marrë një vendim. Veton Berisha në një prononcim për Insajderin thotë se ende janë në pritje.

“Po e presim vendimin. Nuk kemi kurgjo. Sot bëhen dy vite, prej që e kemi dorëzuar. Me 13 prill 2021 e kemi dorëzuar sot është viti 2023. Përtej asaj që ne kemi tentuar të interesohemi për çështjen, nuk ka pasur ndonjë përgjigjje. Përgjigjja ka qenë “Rasti është në proces. Në momentin që kryhet ju lajmërojmë. Vonesa zgjatë varësisht prej kompleksitetit të lëndës”, me sa duket lënda qenka më komplekse dhe nuk ka diçka më konkrete”, ka deklaruar ai.

Ish-deputeti është shprehur i zhgënjyer me rrjedhën e këtij procesi.

“Kjo është e pakuptimt, e stërzgjatur. Kjo për mua është dështim, pasi nëse drejtësia vonon që të vije në vend humbasin shumë të drejta. Do me thënë tashmë veçse kanë kaluar dy vite mandate, janë dy vite humbje. Drejtësia e vonuar do të thotë dështim i drejtësisë. Çkado që të vendoset nga ky organ duhet të pajtohemi por vonesa është tepër e pakuptimt. Gjykata Supreme ka vendosur se ka pasur orkestrim, veçse ndryshe ka vendosur në rastin tonë, ndryshe ka vendosur në rastin e Duda Baljes dhe Adriana Hoxhiq. Aty ka pas nevojë vetëm të konstatohet nëse Gjykata Supreme ka përdorur standard të dyfishta kur ka vendosur për to”, ka deklaruar Berisha.

Kujtojmë se partia që po akuzohet për përfshirje në manipulim me vota është subjekti i Elbert Krasniqi, aktualisht ministër i qeverisë Kurti në MAPL.