Ish-mësimdhënësi, Ulaj: Nxënësit e “Xhevdet Doda” ishin gati të shkonin në luftë

Binak Ulaj, ish-mësimdhënës, ka treguar se si mbijetoi arsimi në Kosovën e pushtuar.

Ulaj ka thënë se gjatë asaj periudhe e kanë vazhduar traditën e shkollës shqipe dhe karakterin kombëtar, që sipas tij, u dëshmua mbizotërues ndaj Beogradit, njofton Klankosova.tv.

Ai ka shtuar se gjatë vitit 1998, nxënësit i kanë kërkuar leje që të shkojnë në vatrat e luftës.

“Puna ka qenë jo vetëm e punëtorëve të arsimit, i falënderojë gjithë ato gjenerata të viteve të 90-ta, që edhe tani befasohen me përkushtimin e tyre. Ne vazhdonim traditën e shkollës shqipe, karakterin kombëtar, që u dëshmua mbizotërues ndaj politikës kriminale të Beogradit. Ishte mrekulli, sidomos në vitet 98’ nxënësit vinin dhe më thoshin ‘drejtor unë dua të shkojë në luftë’”, ka thënë Ulaj në InfoMagazinë në Klan Kosova.

“Duke i njohur mirë rrethanat se Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte nevojë për më shumë armatim, dhe se ishte porosia e tyre dhe e bacit Adem, që ne duhet të kontribuonim në qytet brenda dhe aty do e jepnim kontributin, një pjesë të madhe i kom ndalur të mos shkojnë. Ishte e vështirë që t’i ndalësh nxënësit të mos shkojnë atje”.